Vendosni fjalën kyçe....

Rama kundër bojkotit të universiteteve: Do të ndërhyjmë në ligj, tjetër gjë protesta, tjetër imponimi



Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar bojkotin e mësimit në universitete nga studentët dhe një pjesë e pedagogëve, duke e cilësuar atë të papranueshëm dhe paralajmëruar ndërhyrje në ligjin përkatës. Reagimi i tij vjen në një kohë kur studentët vijojnë protestat dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

“Është i papranueshëm bojkoti i studentëve dhe akoma më shumë ai i një pjese të pedagogëve, individëve të politizuar, zë që kanë për herë të parë. Do të ndërhyjmë në ligjin përkatës, pasi tjetër gjë është liria e protestës dhe tjetër gjë është imponimi mbi ata që duan të bëjnë mësim”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi se i njeh vështirësitë ekonomike me të cilat përballen studentët, veçanërisht për shkak të kostos së jetesës, por theksoi se nuk pranon atë që e cilësoi gjuhë force dhe imponimi.

“Gjuhën e forcës, të imponimit nuk e njoh. Civilizimin europian, traditën e shqiptarit të radhës në të folur, s’i negocioj me askënd”, tha ai.

Rama iu referua edhe protestave studentore të vitit 2018, duke pretenduar se edhe atëherë u deshën disa javë përpara se palët të uleshin në dialog. Ai kritikoi qëndrimin e protestuesve që kundërshtojnë bisedimet me qeverinë, duke kujtuar se gjatë protestave të fundit, sipas tij, refuzimi i dialogut ishte një nga mesazhet kryesore.

“‘Bëj si themi ne, ose do të thyejmë dynjanë’, nuk ka. Ejani të ulemi, kur të doni dhe ku të doni, për ato që ju mendoni se do të bëjnë më mirë”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se i ka dëgjuar fjalimet e studentëve protestues, por pretendoi se nuk ka gjetur në to propozime konkrete apo një vizion për zgjidhjen e problemeve.

“Unë i dëgjova ata më shumë se askush tjetër, se i kisha përballë aty. Kryefjala e tyre ishte: ‘Nuk ka dialog’. I mësova përmendësh edhe fjalimet e tyre. Vizion dhe ide në ato fjalime nuk dëgjova”, deklaroi Rama, duke përsëritur se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me studentët dhe pedagogët për propozimet e tyre.