Fenerbahçe në duart e ish legjendës së Liverpool, kush është trajneri i ri i Muriqit
Pasditen e së enjtes në 29 tetor, Interi dhe Milan do të prezantojnë zyrtarisht projektin e stadiumit të ri të Milanos. Impianti, emri i të cilit do të lidhet me atë të një prej sponsorëve komercialë, do të ndërtohet në kuadër të një operacioni me vlerë totale prej 2.3 miliardë euro, nga të cilat 700 milionë janë të destinuara vetëm për strukturën sportive, dhe do të ketë një kapacitet prej 71500 vendesh të ulura.
Projekti parashikon dy unaza të mëdha tribunash, me ulëset pranë fushës së lojës, tribuna pas porte me zhvillim të theksuar vertikal dhe mbulim të përhershëm të tribunave. Kompleksi do të përfshijë gjithashtu parkime nëntokësore dhe hapësira të dedikuara për dyqane, restorante dhe aktivitete argëtuese.
Kalendari i parashikuar përcakton përfundimin e të gjithë procedurave të autorizimit deri në verën e vitit 2027, me synimin për të nisur punimet e ndërtimit përpara fundit të po atij viti. Objektivi është që stadiumi të përfundojë dhe të dorëzohet gjatë vitit 2031 ose në fillim të vitit 2032, në kohë për të pritur ndeshjet e Euro 2032. Pas këtij hapi, do të vijojë shembja e pjesshme dhe përshtatja e stadiumit historik San Siro për funksione të reja.
Kostot dhe etapat e punimeve
Projekti nuk ka të bëjë vetëm me stadiumin kryesor me 71500 vende, por parashikon një sërë ndërhyrjesh komplekse dhe të shpërndarë në kohë. Kostoja totale është vlerësuar 2.3 miliardë euro.
Shpenzimet fillestare
Në nëntor të 2025 u krye disbursimi i parë i madh me blerjen e stadiumit aktual të San Siros dhe zonave përrreth për 175 milionë euro. Kësaj shifre i shtohen shpenzimet e projektimit të vlerësuar për rreth 99 milionë euro
Kantieri kryesor
Përshpejtimi i vërtetë i punimeve është parashikuar në verën e 2027, datë kur do të nisë ndërtimi i stadiumit të ri, i vlerësuar me 708 milionë euro, me synimin për ta përuruar në verën e 2031, por në çdo rast, jo më vonë se fillimi i 2032.
Punimet shoqëruese
Ndërhyrjet e parashikuara përfshijnë rindërtimin e tunelit Patroclo (rreth 60 milionë euro), administrimin dhe garantimin e sigurisë së kantierit, ndërkohë që stadiumi i vjetër do të qëndrojë ende në afërsi (15 milionë euro), si dhe testimet dhe kontrollet përfundimtare të stadiumit të ri (6 milionë euro).
Shkatërrimi dhe rikualifikimi
Me t’u përuruar stadiumi i ri, nga 2031 do të nisin punimet për shembjen e San Siros së vjetë, një ndërhyrje prej 115 milionë eurosh që do të kërkojë 2 vjer dhe që do të krijojë shumë udhëtime në kamion për të larguar 126 m3 rrënoja duke lënë të pashkatërruar vetëm një pjesë të sektorëve blu dhe portokalli. Në fund, rikualifikimi i pjesës së mbetur të zonës dhe krijimi i kompleksit tregtar do të kërkojnë edhe 371 milionë euro të tjera, me synimin që i gjithë projekti të përfundojë deri në vitin 2036.
Si do të financohet projekti?
Duke qenë se bëhet fjalë për investimin më të madh në historinë e dy klubeve, operacioni do të menaxhohet përmes një skeme financimit të projektit(project financing). Interi dhe Milani do të mbulojnë shpenzimet përmes një kombinimi mes kapitaleve të tyre dhe borxheve bankare duke kërkuar kredi afatgjata apo bono të rimbursuara direkt nga të ardhurat që do të gjenerohen nga stadiumi i ri. Për të mbuluar fazat e para të projektit dhe blerjen e truallit, shoqëria e posaçme Stadio San Siro S.p.A. ka siguruar tashmë një financim prej 354 milionë eurosh nga një konsorcium bankash kryesore ndërkombëtare dhe kombëtare dhe ky është një tregues i qartë se projekti po ecën përpara konkretisht dhe se burimet financiare kanë nisur të mobilizohen.
Top Channel