Në një konferencë për shtyp lidhur me ribalancimin e dytë të buxhetit për vitin 2026, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se borxhi publik është rritur nga 8 miliardë në gati 12 miliardë euro brenda dy vjetësh e gjysmë.
Sipas Filipçes, qeveria e Mickoskit ka marrë 4 miliardë euro borxh të ri, por qytetarët nuk kanë përfituar prej tij, ndërsa interesat do të rëndojnë edhe brezat e ardhshëm.
Të lidhura
None found
“Në rreth dy vjet e gjysmë, borxhi i përgjithshëm shtetëror është rritur me 50 për qind, nga 8 në gati 12 miliardë euro. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje, gati 4 miliardë euro, vjen nga borxhet e reja. Ky është niveli më i lartë i borxhit që nga pavarësia e vendit, në vitin 1991. Qytetarët nuk kanë parë asgjë të mirë”, u shpreh Filipçe.
Ai tha se, po të ishin përdorur këto shuma për përmirësimin e jetës së njerëzve, qytetarët do të shihnin paga më të larta, ndihmë më të madhe për bujqësinë, mbështetje për studentët dhe të rinjtë, si dhe shërbime më cilësore në shëndetësi e arsim. Megjithatë, sipas tij, rritja e borxhit nuk ka sjellë përfitime të dukshme.
“Duhet të kishte standard më të mirë dhe paga më të larta, subvencione më të mëdha për bujqësinë dhe rritje të të ardhurave për studentët, përmes ushqimit apo burimeve të tjera. Duhej të kishte masa që t’i nxisnin të rinjtë të qëndronin në vend, si dhe përmirësime cilësore në shëndetësi e arsim. Por asgjë nga këto nuk po ndodh. Askush nuk ka parë ndonjë përfitim nga kjo rritje e madhe; ka vetëm borxhe dhe interesa, që do t’i paguajnë kush e di sa breza të ardhshëm”, deklaroi ai.
Kryetari i LSDM-së paralajmëroi se borxhi publik do të arrijë në 12 miliardë euro. Nëse llogariten edhe detyrimet e ndërmarrjeve publike, përfshirë Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, borxhi do të tejkalojë 63% të produktit të brendshëm bruto.
Filipçe shtoi se ekonomia nuk është në gjendje ta përballojë një nivel të tillë huamarrjeje.
Ai vuri në dukje se ribalancimi i dytë i buxhetit shton pikëpyetjet mbi rezultatet e huamarrjes: investimet kapitale po ulen, ndërsa deficiti mbetet i lartë. Sipas tij, në vend që paratë të shkojnë për projekte zhvillimore dhe përmirësimin e standardit, ribalancimi përdoret edhe për të mbuluar mungesat në buxhet./Telegrafi/





