Tokë dhe kullota në emër të prindërve në Tetovë dhe banesë në Turqi - kjo është pasuria e ministrit Sedat Sulejmani

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit e ka publikuar pasurinë e ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
Në pasurinë që ai e ka paraqitur figurojnë disa prona në zonën kadastrale Tetovë 2, me baza të ndryshme të fitimit, kryesisht trashëgimi dhe në pronësi të prindërve të tij.
Ndër pronat e evidentuara është një tokë ndërtimore me vlerë të deklaruar prej 6 milionë denarësh, e fituar përmes trashëgimisë në vitin 2010, me pjesëmarrje pronësore prej 1/2.
Në listë figuron gjithashtu një tokë ndërtimore me vlerë prej 3.195.000 denarësh, e regjistruar në vitin 2020, po ashtu përmes trashëgimisë dhe me pjesëmarrje pronësore prej 1/2.

Dokumenti përfshin edhe një pasuri tjetër të paluajtshme me sipërfaqe prej 5.268 metrash katrorë dhe vlerë të deklaruar prej 1.316.750 denarësh. Për këtë pronë, viti i fitimit është 2010, baza është trashëgimia, ndërsa pjesëmarrja pronësore është 1/2.

Në deklaratë figurojnë edhe disa parcela të kategorisë së kullotave. Njëra prej tyre ka vlerë prej 300.000 denarësh dhe është fituar në vitin 2022 përmes kontratës së dhuratës, me pjesëmarrje pronësore prej 1/2.
Tri parcela të tjera të kullotave kanë vlera të deklaruara prej 55.000, 65.000 dhe 70.000 denarësh. Në këto raste, pjesëmarrja pronësore e shënuar është 2/10, ndërsa bazë e fitimit figuron trashëgimia, me vite të regjistrimit 2010 dhe 2022.
Sulejmani gjithashtu ka paraqitur një banesë në emër të prindërve në Turqi, e cila ka hapësirë pre 43 metra katrorë dhe e shënuar me vlerë prej 15.375.000 denarë.

Ministri Sulejmani ka një makinë Volkswagen Golf në emër të tij me vlerë prej 183.500 denarë, ndërsa në emër të bashkëshortes ka një kompani me emër "Kompas Oil"./Telegrafi/








































