
Një tragjedi hekurudhore në Spanjë ka sjellë ndryshime në kalendarin e futbollit. Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të shtyjë të 24 ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Mbretit, të cilat ishin parashikuar të zhvilloheshin të mërkurën.
Vendimi është marrë në shenjë respekti dhe solidariteti me viktimat e aksidentit dhe familjet e tyre. Sipas federatës, datat e reja dhe oraret e takimeve do të bëhen publike në ditët në vijim.
Mes skuadrave që pritej të zbrisnin në fushë ishin edhe Valencia, Celta Vigo dhe Real Betis. Ndërkohë, Real Madridi dhe Barcelona do ta nisin pjesëmarrjen në këtë kompeticion në muajin dhjetor, në fazën e 1/16-ve, për shkak të angazhimit në Superkupën e Spanjës.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 09:00, në zonën mes qyteteve Mora dhe Orgaz, në provincën e Toledos. Sipas raportimeve fillestare, në aksident u përfshinë dy trena me shpejtësi të lartë, të kompanive Renfe dhe Iryo, ku udhëtonin gjithsej 544 persona.
Nga përplasja, dy vagonë dolën nga shinat. Sipas të dhënave paraprake të cituara nga autoritetet lokale, në kohën e raportimit dyshohej se kishin humbur jetën të paktën 46 persona, ndërsa ekzistonte frika se bilanci i viktimave mund të rritej.
Pas tragjedisë, Real Madridi dhe Atlético Madridi shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave, të plagosurit dhe të gjithë personat e prekur nga aksidenti.
