Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ndaluar për 48 orë B.K.-në, në kuadër të hetimeve për laboratorin e zbuluar më 2025, ku dyshohet se prodhoheshin dokumente të falsifikuara.
Sipas Prokurorisë, ndaj të dyshuarit rëndojnë dyshimet për “Pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikim të dokumentit”. Institucioni bëri të ditur se do t’i kërkojë Gjykatës Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit.
Të lidhura
None found
Hetimi lidhet me shtëpinë në Veternik të Prishtinës, të zbuluar më 28 janar të vitit 2025. Autoritetet thanë atëherë se objekti ishte përdorur si laborator i sofistikuar për falsifikimin e pasaportave, kartave të identitetit dhe patentë shoferëve, mes dokumenteve të tjera.
Zbulimi i shtëpisë erdhi pas ndalimit nga Policia, më 24 janar, të një automjeti ku u gjetën dokumente të paplotësuara nga shtete të ndryshme të botës. Drejtuesi i automjetit, F.K., u arrestua. Në shtëpi u sekuestruan makina laserike, printerë, mbi 20.000 mikroçipa dhe mijëra dokumente që u përkisnin 51 shteteve të ndryshme të botës.
Në prill të vitit 2023 ishte arrestuar edhe SH.E., i dyshuar se bënte pjesë në të njëjtin grup që falsifikonte dokumente. Për atë arrestim, autoritetet kishin bërë të ditur se veprimi ishte koordinuar me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë EUROPOL-in.
Një tjetër person u ndalua në tetor në pikën kufitare të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë. Ai dyshohej për falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje ose organizim të një grupi kriminal. Prokuroria Speciale deklaroi atëherë se V.E. dyshohej se ishte pjesë e të njëjtit grup.
Më 22 tetor, pas arrestimeve në Kosovë, Mbretëria e Bashkuar njoftoi sanksione ndaj të ashtuquajturit “Rrjeti Krasniqi”, të cilin e cilësoi si njërën prej bandave kriminale të Ballkanit Perëndimor. Londra tha se dokumentet e falsifikuara nga ky rrjet dhe banda të tjera të rajonit ishin përdorur më pas për trafikim njerëzish.
Lista e personave të sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar përfshinte Burim Krasniqin, të përshkruar si udhëheqës të Rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqin, të cilin e cilësoi ndërmjetës që siguronte klientë për shërbimet e grupit; dhe Flamur Krasniqin, anëtar në posedim të të cilit ishin gjetur dokumente të falsifikuara. Në listë ishin edhe Valon Krasniqi dhe Sami Duriqi, të përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimin e shërbimeve të grupit; si dhe Nexhmie Selmani, për të cilën Mbretëria e Bashkuar tha se kishte vënë në dispozicion objektin e përdorur për falsifikim dhe kishte ndihmuar me pajisjet. Gjithashtu u sanksionuan Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara.
Pas njoftimit britanik, autoritetet e drejtësisë në Kosovë deklaruan se po e trajtonin rastin “me prioritet”.






