Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë publike deklarimin e pasurisë së ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani. Në të përfshihen disa prona në zonën kadastrale Tetovë 2, të fituara kryesisht përmes trashëgimisë dhe të regjistruara në emër të prindërve të tij.
Një nga pronat e deklaruara është tokë ndërtimore me vlerë 6 milionë denarë. Ajo është fituar me trashëgimi në vitin 2010 dhe pjesëmarrja pronësore shënohet 1/2.
Të lidhura
None found
Një tjetër tokë ndërtimore, e regjistruar më 2020, ka vlerë 3.195.000 denarë. Edhe kjo është fituar përmes trashëgimisë, ndërsa pjesa e pronësisë është 1/2.
Në dokument paraqitet gjithashtu një pronë e paluajtshme prej 5.268 metrash katrorë, me vlerë të deklaruar 1.316.750 denarë. Ajo është fituar në vitin 2010 nëpërmjet trashëgimisë dhe pjesëmarrja pronësore është 1/2.
Deklarimi përfshin edhe parcela kullotash. Njëra, me vlerë 300.000 denarë, është fituar në vitin 2022 me kontratë dhurimi dhe ka pjesëmarrje pronësore 1/2.
Tri parcela të tjera kullotash janë deklaruar me vlera përkatësisht 55.000, 65.000 dhe 70.000 denarë. Për to, pjesëmarrja pronësore është 2/10; si bazë e fitimit figuron trashëgimia, ndërsa vitet e regjistrimit janë 2010 dhe 2022.
Sulejmani ka deklaruar edhe një banesë në Turqi, në emër të prindërve të tij. Ajo ka sipërfaqe prej 43 metrash katrorë dhe vlerë të shënuar 15.375.000 denarë.
Ministri ka në emrin e tij një veturë Volkswagen Golf, me vlerë 183.500 denarë. Në emër të bashkëshortes është regjistruar kompania “Kompas Oil”./Telegrafi/






