Dyshohet se i dha vilën Belinda Ballukut, biznesmeni Pandeli Carapuli paraqitet në SPAK

Biznesmeni Pandeli Carapuli është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), i shoqëruar nga avokati i tij, Ulian Barjami. Carapuli është zyrtarisht nën hetim për pastrim parash, në kuadër të hetimeve për vilën luksoze në Dhërmi, që dyshohet se është përfituar nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Sipas SPAK, Carapuli është biznesmeni i lidhur me Ballukun, e cila dyshohet se ka përfituar një vilë luksoze në kompleksin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut. Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme lidhen me një tender të përfituar nga kompania “Eurocol” sh.p.k. në kohën kur Balluku drejtonte Albcontrol.

Sipas hetimeve, vila dyshohet se është dhënë si përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë në procedurën e tenderimit. Pasuria në fjalë ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, në Dhërmi, dhe ka numrin F6. Në njoftimin e saj, SPAK bën me dije se nga hetimet rezulton se Belinda Balluku, në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol sh.a., dyshohet se ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt nga shoqëria “Eurocol” sh.p.k.

“Përfitimi i parregullt”, sipas Prokurorisë së Posaçme, vlerësohet në 145 mijë euro dhe konsiston në pasurinë e paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6 në resortin turistik “White Rocks”, në Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.

Paraqitja e Carapulit në SPAK vjen një ditë pasi Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se i kishte komunikuar akuzat për pastrim parash ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare. Sipas dyshimeve të SPAK, Tare ka fshehur në emrin e tij vilën luksoze që lidhet me Belinda Ballukun.

Pandeli Carapuli është pronari i vilave në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, ku ndodhet edhe pasuria që është bërë objekt i hetimit.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri