Historia e një artisti të përndjekur, rreth 600 dokumente rreth përballjes së kineastit Viktor Stratobërdha me regjimin komunist

Kulturë | 7 minuta më parë

Historia e kineastit dhe regjisorit Viktor Stratobërdha u rikthye në vëmendje në Korçë, përmes një veprimtarie të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, në kuadër të platformës edukative “Mësojmë nga e kaluara 1944–1991”.

Një nga kineastët e parë shqiptarë të formuar në ish-Bashkimin Sovjetik, Stratobërdha e pa të ndërprerë karrierën pas kthimit në Shqipëri, duke u përballur me përndjekjen politike, burgosjen dhe kontrollin e regjimit komunist.

Rreth 600 fletë dokumentesh të ish-Sigurimit të Shtetit, letërkëmbime dhe dëshmi familjare sollën në vëmendje fatin e artistit dhe pasojat e represionit në jetën e tij. Historinë e tij e plotësuan rrëfimet e nipit, Sotiraq Stratobërdha, dhe historianit Skënder Vrioni.

“Në respekt dhe në nderim të kineastit, regjisorit human dhe plot humor, do të flasim për S. T. Berden, jo vetëm si njeri, por, siç e thashë, edhe si artist, i cili pati jetëgjatësinë më të shkurtër në kinematografinë shqiptare dhe atë të huaj. Por kjo nuk ndodhi për faj të tij, por sepse Sigurimi i Shtetit e ndëshkoi për mendimin e tij të lirë”, u shpreh historiani, Skënder Vrioni.

“Ishte vetëm 16 vjeç, si shumë të rinj të asaj kohe, idealistë dhe me shpresën se do të luftonin okupatorin italian. Ishte i vitit 1925. Në familje tregonin shpesh se ai shpërndante trakte dhe ishte aq i guximshëm, saqë kishte arritur t’i shpërndante ato edhe brenda kazermës së italianëve. Të afërmit tregonin se e kishin ndjekur dhe kishin tentuar ta kapnin, por ai kishte arritur të shpëtonte. Ishte tip që synonte të nxiste reagime te njerëzit në situata të veçanta”, tha nipi i kineastit, Sotiraq Stratobërdha.

Veprimtaria synoi të rikthejë në kujtesën kolektive fatin e artistëve të përndjekur dhe të shërbejë si burim edukimi për brezin e ri, duke dëshmuar pasojat e diktaturës dhe rëndësinë e lirisë së mendimit e të krijimtarisë.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme