Ka përfunduar pas gati 7 orësh ndërhyrje intensive kirurgjikale operacioni për heqjen e plumbit të gomës nga syri i 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u trajtua në Romë nga një ekip i specializuar mjekësor.
Ndërhyrja e ndërlikuar, e cilësuar si e një shkalle të lartë vështirësie, u realizua nën drejtimin e kirurgut të njohur italian, profesor Stanislao Rizzo, Drejtor i Departamentit të Okulistikës në Policlinico Universitario Agostino Gemelli.
Sipas burimeve mjekësore, operacioni paraqiste vështirësi të konsiderueshme për shkak të pozicionit të plumbit, në afërsi të strukturave kraniale.
Pacienti rrezikonte dëmtime të rënda neurologjike, të cilat mund të preknin edhe syrin tjetër, si dhe komplikacione serioze në tru.
Sipas informacioneve struktura e syrit është ruajtur e plotë pas ndërhyrjes.
Megjithatë, do të nevojitet kohë për të vlerësuar gjendjen e pacientit dhe për të përcaktuar nëse do të jetë i mundur rikuperimi i plotë i shikimit.
Gjendja e tij do të kërkojë ndjekje të mëtejshme mjekësore, ndërsa rezultatet përfundimtare sa i përket shikimit pritet të vlerësohen në vijim.













