Pas mbylljes së hetimeve nga SPAK ndaj Belinda Ballukut dhe kalimit të dosjes për gjykim, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Në një postim në Facebook, Bardhi akuzon Prokurorinë e Posaçme se po hesht ndërkohë që sot njoftoi mbylljen e hetimeve për ish.zv/kryeministren.

“Belinda Balluku mbi ligjin”, shkruan Bardhi, duke kërkuar nga SPAK shpjegime pse nuk ka dorwzuar nw Kuvend kwrkeswn e dytw pwr heqjen e imunitetit tw deputetes.

Reagimi i Gazment Bardhit:

“Belinda Balluku mbi ligjin”. SPAK të tregojë pse e shiti ligjin tek Edi Rama!

ME mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun, ME 2 vila të zbuluara, të fshehura prej saj, ME 5 akuza të reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie dhe PA kërkesë për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj, SPAK u provua se është zyrtarisht nën kontrollin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Me pozicionimin kundër ligjit dhe pro interesit politik të dyshes më të korruptuar në vend, SPAK duhet t’u shpjegojë sot shqiptarëve pse ligji po zbatohet ndryshe për Belinda Ballukun. Pse në Shqipërinë e SPAK-ut të Edi Ramës, Belinda Balluku është më e barabartë se të tjerët?

Kur ajo akuzohej për shkelje të barazisë në tendera, SPAK kërkoi arrestimin e saj, duke argumentuar rrezikun e prishjes së provave dhe ndikimit mbi dëshmitarët.

Sot, kur mbi të rëndojnë edhe katër akuza të tjera, përfshirë korrupsionin, SPAK hesht.

Pse?

Çfarë ka ndryshuar? Pse nuk u kërkua sërish autorizimi i Kuvendit? Pse Belinda Balluku duhet të trajtohet ndryshe nga të pandehur të tjerë për korrupsion apo pastrim parash, ndaj të cilëve janë kërkuar dhe zbatuar masa arresti?

SPAK u detyrohet shqiptarëve t’u thotë pse për Belinda Ballukun zbatoi një standard të ndryshëm nga të tjerët. Cili është pakti që ka bërë me Edi Ramën? Edhe sa ministra kërkon që të caktojë SPAK-u në qeverinë e Edi Ramës për të ndarë së bashku pushtetin e korruptuar?

Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj europiane mbi drejtësinë selektive dhe pandëshkueshmërinë e pushtetit. Integrimi europian nuk është vetëm mbyllje kapitujsh negociatash. Është garancia se askush nuk qëndron mbi ligjin. Sot, kësaj garancie i janë vënë minat nga Edi Rama, Belinda Balluku dhe nga bashkëpunëtorët e tyre në SPAK.