Neni 1
Objekti i rregullores
Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat, si dhe trajtimin e shqyrtimin e ankesave të depozituara në adresë të shoqërisë Top Channel, në lidhje me pretendimet e çdo personi/individi mbi programet e transmetuara nga Top Channel, në lidhje me cilësinë dhe natyrën e shërbimit të ofruar.
Neni 2
Baza ligjore
Kjo rregullore miratohet në zbatim të nenit 51, të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe rregullores së AMA-s “Mbi procedurat për shqyrtimin e ankesave nga Këshilli i Ankesave dhe të drejtën e përgjigjes”. Udhëzimi i AMA-s “Mbi procedurat e trajtimit të ankesave nga Ofruesit e Shërbimit Mediatik (OSHMA)”; “Rregullore mbi procedurat për trajtimin e ankesave dhe për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes” miratuar me vendimin e AMA, me nr.181, datë 11.09.2017.
Neni 3
Depozitimi i ankesës
Çdo person/individ i interesuar, mund të paraqesë pranë Top Channel një ankesë ku pretendon se nga ana e Top Channel nuk janë përmbushur detyrimet ligjore, apo nuk janë zbatuar kushtet e nenit 33, të Ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Neni 4
Forma e ankesës
- Ankesa paraqitet në format e mëposhtme:
- Në formë shkresore, duke e depozituar në zyrën e protokollit të shoqërisë Top Channel në adresën: rruga “17 Nentori”, godina nr.20, fushë-mëzez, Kashar, Tiranë, Shqipëri;
- Në rrugë elektronike në adresën: [email protected];
- Ankesa duhet të paraqitet jo më vonë se 30 ditë nga data e transmetimit, ose kur në rastin e dy ose më shumë transmetimeve të lidhura me njëra-tjetrën, nga data e transmetimit të fundit.
- Ankesa duhet të përmbajë:
- gjeneralitetet e plota (emër, mbiemër) dhe kopje të dokumentit të identifikimit të ankuesit;
- adresën e ankuesit;
- emrin e emisionit / programit për të cilin bëhet ankesa;
- informacion mbi dëmin e shkaktuar (nëse ka ndonjë të tillë);
- arsyet e ankesës;
- çdo dokument tjetër që vlerësohet i rëndësishëm nga ankuesi në shërbim të qëllimit të ankesës.
Neni 5
Shqyrtimi i ankesës
- Top Channel, pas marrjes së ankesës, verifikon përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në nenet 3 dhe 4 të kësaj rregulloreje. Në rast se ankesa nuk plotëson këto kërkesa, apo elemente të caktuara të përmendura këtu, i kthehet për plotësim ankuesit. Kërkesat anonime nuk merren në konsideratë dhe nuk shqyrtohen nga Top Channel.
- Top Channel nuk merr në shqyrtim ankesat për çështje të cilat janë njëkohësisht në shqyrtim gjyqësor nga Gjykata, apo për të cilat është dhënë një vendim gjyqësor i formës së prerë.
- Nëse gjatë shqyrtimit të ankesës, Top Channel konstaton se çështja për të cilën është paraqitur ankesë, është njëkohësisht edhe në shqyrtim nga organet e prokurorisë, e ndërpret menjëherë shqyrtimin.
Neni 6
Procedurat dhe afatet e shqyrtimit të ankesës
- Gjatë shqyrtimit të ankesës, Top Channel mund të kryejë rast pas rasti, një ose të gjitha veprimet e mëposhtme:
- mund të kërkojë informacion shtesë nga ankuesi, të cilin (ankuesi) duhet ta depozitojë në Top Channel brenda 5 ditëve kalendarike nga data e marrjes në dijeni;
- për qëllime të sqarimit të rrethanave për çështjen e ankuar, Top Channel mund të organizojë takime të përbashkëta me ankuesin;
- Top Channel mund të kryejë kryesisht verifikimet përkatëse pranë departamentit, apo arkivit artistik të tij;
- Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesës, nëse konstaton që emisioni/programi nuk ka zbatuar kërkesat e përcaktuara në ligj, Top Channel merr masat e nevojshme për çështjen e ankuar duke vënë në dijeni dhe ankuesin.
- Top Channel shqyrton ankesën dhe njofton ankuesin brenda 15 ditëve kalendarike nga data e depozitimit të ankesës.
Neni 7
Ruajtja e konfidencialitetit
Informacioni dhe dokumentacioni i marrë nga Top Channel për çështjen në shqyrtim, përdoret vetëm për qëllimet për të cilat është dhënë informacioni. Për sa i përket trajtimit të ankesave në bazë të kësaj rregulloreje, Top Channel zbaton tërësisht dispozitat e ligjit nr.124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Neni 8
Struktura përgjegjëse
Shqyrtimi i ankesave të depozituara në Top Channel lidhur me pretendimet e ankuesit bëhet nga Departamenti i Programacionit ose Njësia / Departamenti të cilit i drejtohet ankesa. Zyra e Arkivës / Protokollit mban në një regjistër të veçantë të dhënat mbi ankesat e depozituara duke evidentuar trajtimin dhe zgjidhjen e tyre.
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë në datën e nënshkrimit të saj me datë 18/09/2026.