Vendosni fjalën kyçe....

U dëmtua në sy përgjatë protestës, Erjon Vishkulli përfundon me sukses ndërhyrjen në Romë


Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i plagosur në sy gjatë protestës së 24 shtatorit, ka përfunduar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se mjekët kanë arritur t’i shpëtojnë syrin të riut, ndërsa rikthimi i shikimit do të kërkojë trajtim dhe ndjekje të mëtejshme.

Në një reagim publik, Spahiu shprehu kënaqësinë për rezultatin e ndërhyrjes dhe falënderoi profesorin Stanislao Rizzo, i cili kreu operacionin në Itali.

Ministrja vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipit mjekësor, duke theksuar edhe rëndësinë e anës njerëzore në trajtimin e rasteve të tilla.

“Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën ‘Gemelli’ në Romë, e cila i ka shpëtuar syrin djalit”, deklaroi Spahiu.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar mbështetje financiare për 28-vjeçarin, ndërsa falënderoi mjekun italian për ndërhyrjen dhe ndihmën e ofruar.

“Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të shikimit do të vijojë me durim dhe besim”, u shpreh ministrja.

Në përfundim të reagimit të saj, Spahiu shprehu mirënjohje për profesor Rizzon dhe përgëzoi familjen dhe miqtë e Erjon Vishkullit për mbështetjen gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Ndërhyrja e suksesshme përbën një zhvillim pozitiv për të riun, por, sipas njoftimit të ministres, procesi i rikuperimit të shikimit do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.