Antiterrori arreston një person dhe procedon 17 të tjerë për thirrjet gjatë protestave, hetohen edhe 8 llogari online

Drejtoria e Antiterrorit ka arrestuar një person dhe ka proceduar penalisht 17 të tjerë, ndërsa ka referuar në Prokurori edhe tetë raste për identifikimin e autorëve të dyshuar për thirrje dhe nxitje të veprimeve të kundërligjshme në rrjetet sociale, në kontekstin e protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit.
Sipas Policisë, veprimet hetimore janë kryer nga strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me sektorin e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Hetimet lidhen me publikime në rrjetet sociale me përmbajtje të dyshuar si të dhunshme, kërcënuese dhe të kundërligjshme, gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në disa qarqe që prej 13 tetorit 2026.
I arrestuari është shtetasi E. Xh., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”. Sipas hetimeve, ai dyshohet se i ka dërguar një mesazh kërcënues në Facebook një subjekti privat, duke paralajmëruar vendosjen e bombave në tri godina të ndryshme të tij.
Ndër personat për të cilët janë referuar materialet në Prokurori është A. K., 34 vjeç, i dyshuar për thirrje publike për veprime të dhunshme përmes Instagramit. Policia pretendon gjithashtu se ai ka hapur një llogari në platformën GoFundMe për mbledhjen e fondeve, duke mashtruar qytetarët me pretendimin se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit, atij iu gjet një dokument identifikimi si gazetar, të cilin, sipas Policisë, e përdorte për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga efektivët. Dokumenti u sekuestrua si provë materiale.
Edhe shtetasi E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, është referuar në Prokurori për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrja për urrejtje nacionale”. Sipas Policisë, ai ka publikuar video në rrjetet sociale, përmes të cilave ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Një tjetër rast lidhet me shtetasin G. P., 37 vjeç, i dyshuar për “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”. Policia pretendon se ai ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shoqëruara me komente fyese, denigruese dhe akuzuese. Sipas autoriteteve, këto publikime kanë ekspozuar identitetin e efektivëve të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke krijuar rrezik për ta dhe familjarët e tyre, si dhe duke nxitur veprime intimidimi, kërcënimi apo dhune.
Në llogarinë që administron 37-vjeçari janë evidentuar gjithashtu postime me paralajmërime kërcënuese ndaj institucioneve shtetërore dhe thirrje për identifikimin e personave të tjerë.
Për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Nxitja e urrejtjeve dhe e grindjeve” është referuar në Prokurori edhe shtetasi A. G., 56 vjeç, banues në Tiranë. Sipas Policisë, ai ka publikuar fotografi dhe shkrime përmes të cilave ka bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave.
Ndërkohë, A. A., 50 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet për “Shpërndarjen e shkrimeve antikushtetuese” dhe “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi ka publikuar në Facebook një shkrim me përmbajtje që Policia e cilëson antikushtetuese.
Në hetim është përfshirë edhe shtetasi O. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”. Sipas Policisë, gjatë një proteste ai ka vendosur në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik një banderolë që përmbante simbol nazist.
Për thirrje publike për veprime të dhunshme janë referuar në Prokurori edhe shtetasit A. L., 39 vjeç, R. R., 28 vjeç, L. Xh., 24 vjeç, E. B., 36 vjeç, O. Rr., 46 vjeç, D. A., 39 vjeçe, E. Q., 22 vjeç, D. K., 26 vjeçe, A. B., 42 vjeç, M. Ç., 18 vjeç dhe A. Ll., 24 vjeçe. Sipas njoftimit zyrtar, ata dyshohet se kanë publikuar shkrime, mesazhe ose komente në platforma të ndryshme komunikimi online, me thirrje për kryerjen e veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve të javëve të fundit.
Përveç personave të identifikuar, materialet i janë referuar Prokurorisë edhe për shtatë llogari në platforma të ndryshme komunikimi online, ku dyshohet se janë publikuar thirrje për veprime të dhunshme. Një tjetër llogari në Instagram po hetohet për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”.
Drejtoria e Antiterrorit bën me dije se vijon puna për identifikimin e administratorëve të llogarive të tjera dhe të personave të lidhur me to, me qëllim nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale i janë referuar prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



