Ministrja Spahiu jep lajmin e mirë: Erjon Vishkulli kryen me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në Romë

Aktualitet | 15 minuta më parë

Erjon Vishkulli, e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të djalit.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu, e cila ka shprehur mirënjohejn e qeverisë shqiptare ndaj profesorit Stanislao Rizzo, i cili kreu ndërhyrjen.

“Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen, ndërkohë që qeveria miratoi po sot edhe mbështetjen financiare për Erjonin.

Përtej dijes dhe aftësisë profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, bashkimi i forcave te humanizmi që i bën kaq të veçanta këto situata.

Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim.

Mirënjohje të sinqertë profesor Rizzos për atë që bëri dhe përgëzime familjes e miqve të Erjonit”, shkruan Spahiu, e cila e thotë se ky lajm i mirë vjen pas atij të kalimit në qeveri të paketës së re fiskale dhe projektbuxhetit që për herë të parë në histori kalon pragun e 10 miliardë eurove.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për dëmtimin në sy me plumb gome të shtetasit Erjon Vishkulli gjatë protestave të zhvilluara më 24 tetor në kryeqytet, ndërsa në të njëjtin procedim po hetohen edhe dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.\

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme