E plotësuar: Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në fjalimin e saj para ndërtesës së Qeverisë ka thënë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat, e prej kërkesave është shkarkimi i ministres Gërvalla dhe ministrit Sveçla.

Po ashtu ndjekje penale ndaj atyre që kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt, që u vra nga ish-kunati i saj.


“Nëse Arlinda ka qenë dëshmore, siç ka thënë Kurti, atëherë ne jemi ushtare që kemi me ja pru fundin kësaj qeverie. Nuk kemi me lënë kurrë pa livrit derisa ky shtet me ia nis me marrë seriozisht jetën e grave e me ja nis me i trajtu si njerëz”, tha Sijarina.

Para objektit të qeverisë janë ndezur fishekzjarrë ndërsa dyert janë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe. Janë vendosur edhe foto të ministres Gërvalla me sëpatë. Thirrjet “Dorëheqje, dorëheqje” kanë mbizotëruar.

“Arlinda na ka lënë amanet, e ai amanet është që këta njerëz mos me mujt me bë gjumin rehat”, tha Sijarina. “...Këtij shteti, që po get edhe sipas Kurtit na ka shpall luftë, ne kemi me iu kundërvy. Sonte kemi me iu kundërvy. Është lajmërimi i parë që protestat tona përveç që nuk do të ndalen natë e ditë, ato kanë me u përshkallëzu. Nuk mundemi me prit që si zakonisht ky shtet me na gjuajt hi syve. Me na neytralizu e me na shpartallu, që mos me mujt me u bë 2-3 veta bashkë kur lypet me luftu e me çu zërin për gratë. Na ultimatumin e kemi dhënë, kërkesat i kemi treguar. Çfarë presim sot është me nis me i numëru kërkesat e me i dhënë përgjigje secilës. Duam burgime, duam llogari, duam që trupat tonë me u trajtu me dinjitet”, tha Sijarina.

E plotësuar: Protestuesit që po marshojnë në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt kanë arritur para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kanë hedhur mjete piroteknike.

Në dyert e Qeverisë është shkruar mesazhi “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”, fjali e marrë nga letra e Arlinda Zekajt.

Po ashtu, në dyert e objektit është vizatuar një sëpatë me ngjyrë të kuqe, duke iu referuar mënyrës se si u vra Arlinda nga ish-kunati i saj.

Protestuesit kanë bërë thirrje “Jepni dorëheqje”, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe drejtësi për vrasjen që ka nxitur reagime të shumta në vend.

E plotësuar: Protestuesit kanë hedhur letrën e Arlinda Zekajt dhe ngjyrë të kuqe para objektit të Policisë së Kosovës, në shenjë revolte pas vrasjes së saj.

Po ashtu është hedhur gaz në drejtim të zyrtarëve policorë, duke shprehur pakënaqësinë dhe zemërimin ndaj institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

Përmes këtyre veprimeve, protestuesit kanë shprehur revoltën e tyre dhe kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e Arlinda Zekajt.

Ka nisur protesta kombëtare pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, në një rast ku i dyshuari për vrasjen është kunati i saj, Albert Sylaj.

Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, po mbahet me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, për të kërkuar drejtësi për viktimën dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Me qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn dhe reagim institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore.

Pjesëmarrësit në protestë po kërkojnë që vrasjet e grave të mos trajtohen si raste të izoluara, por si një problem serioz shoqëror që kërkon përgjegjësi institucionale dhe veprim të menjëhershëm.

Rasti i Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje kërkesat për drejtësi dhe nevojën për masa më efektive në parandalimin e vrasjeve të grave në Kosovë. /Telegrafi/