Gjashtë persona, mes tyre katër shqiptarë dhe dy italianë, janë arrestuar në Emilia-Romagna të Italisë, në kuadër të një hetimi për trafik droge, armëmbajtje pa leje, zhvatje dhe organizim të veprimtarive kriminale nga burgu.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se koordinonte trafikun e kokainës dhe veprimtari të tjera kriminale përmes telefonave celularë të përdorur ilegalisht në burgje.
Policia ka dokumentuar edhe dy episode të dyshuara dhune dhe kërcënimesh për borxhe nga droga.
Në njërin rast, persona të armatosur dyshohet se qëlluan drejt automjetit të një gruaje, ndërsa në një tjetër, një shtetas italian u plagos lehtë nga të shtënat me armë në Bolonjë.
Masat e sigurisë lidhen me nëntë persona, ndërsa gjashtë prej tyre janë arrestuar. Hetimet vijojnë dhe autoritetet nuk përjashtojnë zhvillime të tjera.













