Wednesday / October 28 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Vetëm 16,2% e kompanive me CEO të identifikueshme drejtohen nga një grua, kampione bankat

Share Share Icon

Në momente turbulence, tensionesh dhe ndryshimesh dinamike socio-ekonomike, aftësia e sipërmarrjeve për të garantuar qëndrueshmëri, besim publik dhe lidership të maturuar merr një peshë jetike për ekonominë e vendit.

Në këtë kontekst ku nevoja për struktura të forta drejtuese është më e prekshme se kurrë për të amortizuar pasiguritë, Women on Boards Albania (WOB-AL) publikoi Raportin Bazë të Indeksit WOB-AL 2026 — vlerësimin e parë të strukturuar krahasues të përfaqësimit gjinor dhe qeverisjes së korporatave në Shqipëri — dhe zhvilloi një tryezë politike konsultative me 20 përfaqësues të lartë institucionalë e të biznesit për të diskutuar rekomandimet e saj.

Nga 282 kompanitë më të mëdha të vlerësuara në vend, rezultatet dëshmojnë një nevojë urgjente për modernizimin e mënyrës se si drejtohet dhe raportohet biznesi:

• Vetëm 31% e kompanive publikojnë të dhëna të verifikueshme mbi përbërjen e organeve të tyre drejtuese.

• Gjinia e drejtorit ekzekutiv (CEO) u identifikua për 72,3% të tyre, dhe vetëm 16,2% e kompanive me CEO të identifikueshme drejtohen nga një grua.

• Sektori bankar dëshmon nivelin më të lartë të transparencës rregullatore: të 9 bankat në kampion publikojnë të dhëna për bordin, me plotësi mesatare të të dhënave prej 21,1%.

• Mes 87 kompanive që publikojnë të dhëna për bordin, gratë mbajnë 28,2% të vendeve mbikëqyrëse/jo-ekzekutive dhe 34,2% të vendeve ekzekutive.

Indeksi mat transparencën publike dhe nuk vlerëson ende cilësinë e brendshme të qeverisjes; kur nuk ekziston informacion publik, treguesi vlerësohet me zero për të garantuar krahasueshmërinë. Si rrjedhojë e boshllëkut në infrastrukturën e raportimit, 280 kompani ndodhen aktualisht në nivelin Alert dhe dy në nivelin Baseline.

Ky rezultat nuk përbën një gjykim mbi suksesin operativ të kompanive individuale, por pasqyron domosdoshmërinë që tregu shqiptar të kapërcejë kulturën e mbyllur dhe të ndërtojë mekanizma llogaridhënieje që mbrojnë biznesin përballë goditjeve të jashtme.

Albana Vrioni, Drejtoreshë Ekzekutive e WOB-AL, theksoi se “Në periudha pasigurie dhe zhvillimesh të vrullshme, qeverisja korporative nuk është një ushtrim formal burokratik, por amortizatori kryesor që mbron biznesin dhe ruan besimin e tregut.

Hapi i radhës është që kompanitë dhe institucionet t’i bëjnë informacionet e drejtimit korporativ të disponueshme në një formë që mund të krahasohet nga viti në vit. Matja e progresit dhe edukimi janë instrumente të fuqishëm motivues. Transparenca dhe kompetenca mbeten themelore për të ndërtuar borde elastike, gjithëpërfshirëse dhe të afta për të naviguar me sukses çdo krizë apo oportunitet.”

Vrioni shton se nga diskutimet me aktorë të lartë pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga WOB-AL, FIAA, AmCham, GIZ, EBRD, CIPE, ANCHL, bic.al, ZKM dhe ish-Drejtoreshës Ekzekutive të AMF-së (AFSA) janw konfrimuar tri prioritete kryesore:

• Harmonizimi i Kodit të Qeverisjes Korporative: Kodi i vitit 2011 për shoqëritë e palistuara është i vjetëruar, i pamonitoruar dhe pa dispozita për diversitetin gjinor apo faktorët ESG. Pjesëmarrësit theksuan se zbatimi i parimit “zbato ose shpjego” kërkon ndërgjegjësim dhe kompetenca: një kompani nuk mund të zbatojë atë që nuk e njeh. U trajtuan mungesat thelbësore në praktikë: nevoja për statute të qarta, përshkrim ekzakt të kompetencave të anëtarëve të bordit, transparencë e strukturës vendimmarrëse dhe qartësi mbi vendimet që duhen depozituar në regjistrin tregtar.

• Ngritja e kompetencave drejtuese dhe edukimi në qeverisje korporative: U theksua nevoja për programe universitare dhe ekzekutive të dedikuara për rritjen e alfabetizmit korporativ. Pika më delikate mbetet ndarja e pronësisë nga menaxhimi ekzekutiv në kompanitë familjare—një kusht i panegociueshëm për të garantuar trashëgiminë e kapitalit, menaxhimin e risqeve dhe vijueshmërinë e biznesit përballë krizave. Kultura tradicionale që e sheh trajnimin si të panevojshëm për nivelet e larta mbetet një pengesë e veçantë që duhet kapërcyer.

• Raportimi jo-financiar si praktikë standarde dhe proporcionale: Ligji 25/2018 përmban detyrimin e raportimit jofinanciar për subjektet e interesit publik me mbi 500 punonjës, ndërsa Ligji 87/2026 e përafron kuadrin me Direktivën e BE-së për raportimin e qëndrueshmërisë (CSRD) me pragje të larta nga viti 2028. Paneli theksoi rëndësinë e proporcionalitetit, në mënyrë që biznesi të mos vihet nën ngarkesë të panevojshme. Standardizimi minimal, edukimi dhe nxitjet konkrete institucionale të lidhura me qëndrueshmërinë janë thelbësore për përqafimin e gjerë të këtij standardi.

WOB-AL, pas diskutimeve sugjeron një paketë masash prioritare për shqyrtim institucional:

• Rishikimi formal i Kodit të Qeverisjes Korporative për shoqëritë e palistuara, me dispozita për diversitetin gjinor dhe mekanizëm monitorimi.

• Përditësimi i programeve universitare dhe themelimi i programeve ekzekutive për kompetencat e bordeve dhe drejtuesve të shoqërive tregtare.

• Standardi minimal i raportimit jo-financiar për strukturat e qeverisjes dhe përbërjen gjinore të bordeve.

• Bashkëpunimi me platformat e të dhënave dhe shoqatat e biznesit për shpërndarjen e gjetjeve dhe rritjen e pjesëmarrjes vullnetare.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Kryeministri Rama: Hiqet taksa e qarkullimit nga nafta, çmimi në pompë ulet me 32 lekë për litër

Çmimi i naftës në pikat e karburanteve do të ulet me 32 lekë për litër, pas heqjes së taksës së qarkullimit nga çmimi i shitjes, sipas një mase të ...

2 hours më parë 2 Min Lexim

Shoqata Manifaktura Shqiptare, kundër paketës fiskale: Shpërfill nevojat e prodhimit

Propozimet për rritjen e taksave nëpërmjet paketës fiskale janë kundërshtuar edhe nga Shoqata Manifaktuara Shqiptare. Në një deklaratë për mediat, ...

3 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!