Vendosni fjalën kyçe....

Flávio Bolsonaro mbërrin në Miami me familjen pas largimit nga Brazili


Senatori brazilian Flávio Bolsonaro dhe familja e tij kanë mbërritur në Miami të mërkurën, pasi u larguan nga Brazili në mënyrë të fshehtë, pas një urdhri të Gjykatës së Lartë për dorëzimin e pasaportave të tij.

Sipas Reuters, qeveria amerikane do t’u japë viza hyrjeje, pas mbështetjes së shprehur nga presidenti Donald Trump.

Flávio Bolsonaro, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të së dielës përballë presidentit në detyrë Luiz Inácio Lula da Silva, u largua nga Brazili ndërsa përballet me një hetim për pastrim të dyshuar parash.

Ai i mohon shkeljet e pretenduara. Pamjet e transmetuara nga Reuters TV treguan senatorin, bashkëshorten dhe dy vajzat e tij duke zbritur nga një avion privat Gulfstream G400 në aeroportin ekzekutiv Opa-locka, pranë Miamit.

Sipas autoriteteve të migracionit në Argjentinë, familja hyri në veri të vendit të martën në mbrëmje. Më pas, ata udhëtuan me avion privat drejt qytetit ekuadorian Guayaquil dhe prej andej fluturuan për në Miami.

Autoritetet argjentinase, institucionet ekuadoriane dhe kompania që operonte avionin privat nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment.

Largimi i Bolsonaro-s pritet të shtojë tensionet mes Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara. Presidenti brazilian Lula ka akuzuar Uashingtonin për bashkëpunim me familjen Bolsonaro me synimin për ta rikthyer atë në pushtet.

Përpara zgjedhjeve, Reuters raportoi për një fushatë të administratës amerikane që synonte rikthimin e familjes Bolsonaro në drejtimin e vendit.

Trump deklaroi të mërkurën se do ta miratonte ardhjen e Flávio Bolsonaro-s në Shtetet e Bashkuara, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit kishte njoftuar se familjes do t’i jepeshin viza hyrjeje.

Presidenti amerikan ka mbrojtur më herët edhe ish-presidentin brazilian Jair Bolsonaro, babanë e Flávio-s, duke pretenduar se ai ishte viktimë e persekutimit gjyqësor.

Jair Bolsonaro udhëtoi gjithashtu drejt Shteteve të Bashkuara pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022, kur nuk pranoi menjëherë rezultatin përballë Lula da Silva-s.

Ai u kthye më vonë në Brazil dhe u dënua me 27 vjet burg për komplot për grusht shteti, pas sulmit të mbështetësve të tij ndaj institucioneve qeveritare në Brasília.

Flávio Bolsonaro, i cili deri pak ditë para zgjedhjeve konsiderohej një nga favoritët për fitore, pësoi një humbje të papritur në balotazh. Mandati i tij si senator përfundon në shkurt, kohë kur ai pritet të humbasë imunitetin parlamentar nga ndjekja penale.

Pas urdhrit të gjykatës për dorëzimin e pasaportave, Bolsonaro kishte deklaruar të hënën se nuk kishte ndërmend të largohej nga Brazili.

“Nuk e kam menduar kurrë largimin nga vendi. Do t’i dorëzoj pasaportat dhe do të mbrohem kundër kësaj padrejtësie, e cila është një përpjekje e qartë për të më intimiduar”, kishte deklaruar ai.

Megjithatë, largimi i tij drejt Shteteve të Bashkuara ka ndodhur përpara se të zgjidhej përfundimisht çështja gjyqësore që lidhet me hetimin për pastrim të dyshuar parash.