Prokuroria e Fierit, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq noteren Anila Haxhiu, e cila akuzohet për falsifikim të përsëritur të dokumenteve noteriale gjatë periudhës 2011-2020.
Sipas hetimeve nga organi i akuzës, noterja dyshohet se ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, pa qenë këta autorë të dokumenteve.
Të lidhura
None found
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se ka përpiluar akte pa praninë e palëve, në kundërshtim me procedurat ligjore.
Hetimet kanë zbuluar edhe kontrata shitjeje automjetesh të hartuara gjatë viteve 2011–2018, të cilat nuk rezultonin të regjistruara në regjistrat përkatës noterialë.
Në disa raste, dyshohet se është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa dokumentet janë hartuar në Fier.
Njoftimi i Prokurorise se Fierit:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dërgon në gjyq shtetasen A.H., me profesion notere, e akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, e kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186, paragrafi i tretë, i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1050, të vitit 2019, rezultoi se, gjatë periudhës 2011–2020, e pandehura, në cilësinë e noteres, ka kryer veprime të përsëritura të falsifikimit të dokumenteve noteriale. Konkretisht, në disa raste, ajo dyshohet se ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, pa qenë këta të fundit autorë të akteve përkatëse. Në raste të tjera, dyshohet se ka hartuar akte noteriale pa praninë e palëve, ndonëse prania e tyre kërkohej për kryerjen e veprimeve përkatëse.
Gjithashtu, nga hetimi rezultoi se, gjatë viteve 2011–2018, janë hartuar kontrata për shitjen e automjeteve, të cilat nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës noterialë të noterëve në emër të të cilëve janë lëshuar. Sipas provave të administruara, në një numër të konsiderueshëm rastesh është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet përkatëse dyshohet se janë hartuar në Fier nga e pandehura.
Njëkohësisht ndaj së njëjtës notere, në kuadër të procedimit penal nr. 390/2023, janë përfunduar hetimet dhe ajo është marrë e pandehur për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, të parashikuar nga neni 186, paragrafi i tretë, i Kodit Penal.







