Një notere në Fier është dërguar në gjyq nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve, pas hetimeve për veprime të dyshuara të kryera gjatë periudhës 2011–2020. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se ka hartuar dhe lëshuar akte noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, pa qenë këta autorë të dokumenteve.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur shtetasen A.H., me profesion notere, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas hetimeve, në disa raste, e pandehura dyshohet se ka hartuar akte noteriale pa praninë e palëve, edhe pse pjesëmarrja e tyre ishte e domosdoshme për kryerjen e veprimeve përkatëse.
Prokuroria bën me dije se gjatë viteve 2011–2018, noterja dyshohet se ka hartuar edhe kontrata për shitjen e automjeteve, të cilat nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës noterialë të noterëve në emër të të cilëve ishin lëshuar.
Nga provat e administruara gjatë hetimit, në një numër të konsiderueshëm rastesh rezulton të jetë përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet dyshohet se janë përgatitur në Fier nga e pandehura.
Ndaj së njëjtës notere janë përfunduar hetimet edhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato.


