“Ju kam ndjekur me vëmendje këto javë dhe kam komunikuar në mënyrë sporadike me disa prej jush, po edhe me pedagogë e me prindër që më kanë shkruar apo që i kam pyetur për të ditur më shumë. Dua të them që në fillim: Klima e terrorit të krijuar në mjediset e shkollës apo në celularët tuaj, nga një pakicë e dhunshme mbi shumicën, për të dalë në protestë apo për të mos bërë mësim, është e papranueshme. I papranueshëm është edhe bojkoti i mësimit nga një pjesë e pedagogëve, individë të politizuar që duan të përdorin studentët si mish për top dhe nuk e kanë për herë të parë. Së pari, jini të bindur se unë jam shumë i vetëdijshëm për vështirësitë e familjeve të shumë prej jush. Unë gjuhën e forcës, të imponimit, të dhunës, nuk e njoh dhe civilizimin europian, traditën shqiptare të radhës në të folur apo normat e bashkëjetesës demokratike, nuk i negocioj me askënd. Ejani të ulemi ku të doni e kur të doni për ato që mendoni se ne duhet të bëjmë më shumë dhe unë duhet të bëj më mirë, për ju, për universitetin dhe për Shqipërinë po të doni. Në ditët në vijim do të hapim një dritare digjitale për dialogun, e cila do t'i shërbejë të gjithë atyre që duan të dialogojnë me mua po kanë frikë, frikë në vitin 2027. Frikë, kur nga ana tjetër pretendon se mund të marrësh në dorë Shqipërinë, frikë nga e drejta jote për të folur lirisht. Gjithsesi për të gjithë ata që kanë frikë nga dhunuesit online do të jetë kjo faqe e cila do të më shërbejë mua dhe kolegëve të mi, për të dëgjuar sa më shumë e për të mbledhur sa më shumë opinione nga studentët”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.