Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta duke marrë për bazë mënyrën si po trajtohet Belinda Balluku dhe Ilir Meta.
Blushi pretendon se ndaj Metës nuk ka prova penale dhe e cilëson këtë dallim në trajtim si “vetëdiskreditim” të SPAK-ut, me regji politike të kryeministrit Edi Rama.
Postimi i plotë i Tedi Blushit:
“Kontrasti Meta–Balluku, si vetëdiskreditim i SPAK-ut me regji politike të Edi Ramës!
Belinda Balluku, me 5 kategori akuzash dhe 13 episode penale, do të gjykohet e lirë, duke ruajtur edhe imunitetin parlamentar.
Ilir Meta, pa imunitet deputeti dhe pa asnjë funksion ekzekutiv, mbahet prej dy vitesh në paraburgim-persekutim politik, gjykohet brenda kafazit të xhamit dhe pa avokat.
Balluku, me 5 kategori akuzash, imunitet parlamentar, kontrollon gjysmën e Qeverisë dhe intimidon dëshmitarët, do të gjykohet e lirë.
Meta, vetëm lider opozitar, pa pushtet ekzekutiv dhe pa imunitet, mbahet prej dy vitesh në paraburgim, pasi u rrëmbye me dhunë nga banditë të maskuar e të armatosur rëndë.
Balluku dhe Karçanaj, të dyja në gjendje të lirë, përballen me akuza të lidhura me afera të denoncuara me vlerë 2.5 miliardë euro.
Ndërsa për Metën: ZERO fakte penale! ZERO prova penale! ZERO akte dhe vendime të paligjshme! ZERO lekë dëm ndaj buxhetit të shtetit! ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit! ZERO pasuri të paligjshme!
Për Drejtësinë me Regji, vërtet ka një ligj, por ka edhe shumë standarde.
Kontrasti Meta-Balluku, është vetëdiskreditimi më i rëndë i SPAK-ut, me regji politike, të Edi Ramës!”