Policia e Shqipërisë ka arrestuar një person, ka proceduar penalisht 17 të tjerë dhe ka referuar materialet për tetë raste për identifikimin e autorëve, nën dyshimet për thirrje dhe nxitje për veprime të kundërligjshme në kontekstin e protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, hetimet janë zhvilluar nga strukturat e specializuara të Antiterrorit, në bashkëpunim me Hetimin e Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, lidhur me përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale pas protestave që nisën më 13 tetor në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera.


I arrestuari është E. Xh., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”. Sipas policisë, ai dyshohet se i ka dërguar një mesazh kërcënues në Facebook një subjekti privat, duke paralajmëruar për vendosjen e bombave në tri godina të ndryshme.

Ndër personat e proceduar penalisht është edhe A. K., 34 vjeç, i dyshuar për thirrje publike për veprime të dhunshme përmes Instagramit. Policia pretendon gjithashtu se ai ka hapur një llogari në platformën GoFundMe për mbledhjen e fondeve, duke pretenduar se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit, atij i është gjetur dhe sekuestruar një dokument me të cilin prezantohej si gazetar.

Një tjetër person, E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, është proceduar penalisht nën dyshimet për thirrje publike për veprime të dhunshme dhe thirrje për urrejtje nacionale. Sipas policisë, ai ka publikuar video në rrjetet sociale, përmes të cilave ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj përfaqësuesve të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë, G. P., 37 vjeç, dyshohet për ndërhyrje të padrejta në jetën private dhe përndjekje, pasi, sipas policisë, ka publikuar vazhdimisht të dhëna personale, fotografi dhe video të zyrtarëve policorë, të shoqëruara me komente fyese dhe akuzuese. Në llogarinë që dyshohet se administron ai janë evidentuar edhe postime me përmbajtje kërcënuese ndaj institucioneve shtetërore.

Policia ka njoftuar gjithashtu për procedimin e A. G., 56 vjeç, për thirrje publike për veprime të dhunshme dhe nxitje të urrejtjes; A. A., 50 vjeç, për shpërndarje të shkrimeve antikushtetuese dhe thirrje për dhunë; si dhe O. M., 20 vjeç, për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme dhe shpërndarje të shkrimeve antikushtetuese.

Sipas njoftimit, 11 persona të tjerë janë proceduar penalisht për thirrje publike për veprime të dhunshme përmes shkrimeve, mesazheve dhe komenteve në platforma të ndryshme online.

Përveç këtyre rasteve, materialet janë referuar në prokurori edhe për shtatë llogari në platforma të ndryshme dhe një llogari në Instagram, përmes të cilave dyshohet se janë publikuar thirrje për dhunë. Për llogarinë në Instagram, hetimet lidhen edhe me dyshimet për përhapje të informacioneve të rreme që ngjallin panik.

Policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për identifikimin e administratorëve të këtyre llogarive dhe të personave të tjerë të lidhur me to, ndërsa materialet procedurale u janë përcjellë prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme./Telegrafi.