Aktualitet Bota Rajoni

“Fitorja e studentëve një fillim i ri për Serbinë”, Marta Kos sërish e prerë: Nuk ka përparim drejt BE-së pa sanksione ndaj Rusisë!

Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Serbia do të përballet me vështirësi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nëse nuk përafrohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit, veçanërisht sa i përket Rusisë dhe luftës në Ukrainë.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Serbia mund të anëtarësohet në BE pa vendosur sanksione ndaj Rusisë, Kos theksoi se përafrimi me qëndrimet e Unionit për çështjet strategjike është i rëndësishëm për përparimin në procesin e integrimit evropian.

“Nuk do të jetë e mundur që një vend që nuk përafrohet me ne për çështje me interes strategjik, siç janë politika e jashtme dhe ajo e sigurisë, përkatësisht lufta e përbashkët kundër Rusisë, veçanërisht në kontekstin e luftës ruse në Ukrainë, të përparojë. Kjo do të jetë shumë, shumë e vështirë”, deklaroi Kos për TVP World.

LEXO EDHE:  Koalicioni Shqiptar fitoi 2 mandate në parlamentin serb, Ministria e Jashtme: Të shërbejë për më shumë të drejta, përgjegjësi normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën!

Megjithatë, komisionerja evropiane bëri të ditur se Bashkimi Evropian ende nuk ka nisur bisedimet me qeverinë e re të Serbisë për këtë çështje.

“Prandaj, fillimisht duhet të formojnë qeverinë e re dhe më pas do të shohim se si dhe nëse do të mund të vazhdojmë më tej në këtë fushë”, u shpreh ajo.

Deklaratat e Kos nënvizojnë rëndësinë që BE-ja i kushton përafrimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendeve kandidate me atë të Unionit, në një kohë kur qëndrimi ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë mbetet një çështje e rëndësishme në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Beogradit.

LEXO EDHE: Shpresa për ndryshimin, The Guardian: Beogradi shpërthen në festë pas humbjes së Vuçiçit!