Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23 prill 2001, “Për tubimet”, duke parashikuar kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe masa ndaj thirrjeve për dhunë gjatë organizimit ose zhvillimit të protestave.
Sipas ndryshimeve, zona të mbrojtura do të konsiderohen stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet, si dhe perimetri përreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.
Në këtë kategori përfshihen edhe zona të tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak, të botuara dhe të shënuara në terren, ku janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu masa ndaj përhapjes së mesazheve që përmbajnë thirrje për dhunë në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi. Në këto raste, Policia e Shtetit mund të kërkojë fshirjen e përmbajtjes dhe mos përsëritjen e veprimeve të tilla, duke i bërë të ditur personit se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.
Për kundërvajtjet administrative janë ndryshuar edhe masat ndëshkuese, me gjoba që variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë.


