Qeveria miraton Aktin Normativ për kompensimin e bizneseve të dëmtuara nga protestat e tetorit

28 Tetor 2026 | 18:48

Bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë do të mund të përfitojnë dëmshpërblim nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara gjatë tubimeve të dhunshme të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor 2026. Kompensimi do të mbulojë dëmet që nuk përfshihen në policat e sigurimit, ndërsa shteti do të kërkojë më pas rikuperimin e shumave nga autorët përgjegjës.

Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ që parashikon krijimin e një skeme kompensimi për bizneset dhe tatimpaguesit privatë të dëmtuar gjatë protestave të dhunshme të zhvilluara në periudhën 13–22 tetor 2026.

Sipas dokumentit, skema synon dëmshpërblimin e plotë të subjekteve që plotësojnë kriteret e përcaktuara, pa ndryshuar kushtet e përgjegjësisë civile të personave që kanë shkaktuar dëmet.

Objekti dhe qëllimi i Aktit Normativ

Krijimi i një skeme kompensimi shtetëror për dëmet materiale në pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve në periudhën 13 – 22 tetor 2026.

Përfitues të kësaj skeme janë personat fizikë ose juridikë privatë (bizneset) me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën e vitit 2025.

Qëllimi është kompensimi i dëmit në vlerë të plotë për të dëmtuarit, pa hequr apo ndryshuar përgjegjësinë civile dhe detyrimin e atyre që kanë shkaktuar dëmin.

Kushtet e përfitimit dhe sigurimi

Kompensimi nga shteti jepet vetëm për pasuritë që janë të pasiguruara.

Në rastet kur pasuria është e siguruar, dëmi duhet të mbulohet nga shoqëria e sigurimit.

Nëse kontrata e sigurimit nuk mbulon rreziqet nga trazirat apo tubimet e dhunshme, ose kur vlera e mbuluar nga siguracioni është e pjesshme, shteti ndërhyn për të kompensuar pjesën e mbetur ose të pambuluar.

Procedura e aplikimit dhe afatet e pagesës

Aplikimi: Subjekti i dëmtuar dorëzon kërkesën pranë administratës tatimore, shoqëruar me provat e vlerës së dëmit, lidhjen e dëmit me protestën, si dhe deklaratën mbi statusin e sigurimit të pasurisë.

Përcjellja e Dosjes: Administrata tatimore verifikon dokumentacionin (faturat, inventarin, qarkullimin) dhe e dërgon atë pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit brenda 5 ditëve punë.

Verifikimi Policor: Ministria i kërkon Policisë së Shtetit të vërtetojë brenda 30 ditëve nëse dëmi ka ndodhur realisht prej protestuesve gjatë tubimit të dhunshëm.

Pagesa: Me marrjen e konfirmimit nga Policia, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit miraton kërkesën dhe kalon shumën e dëmshpërblimit në llogarinë bankare të subjektit brenda 30 ditëve. Kompensimi bëhet edhe nëse individët që shkaktuan dëmin nuk janë identifikuar ende.

Kthimi i shumës te shteti (E drejta e regresit)

Pasi kompenson qytetarin apo biznesin, shteti fiton të drejtën të kërkojë mbrapsht këtë shumë nga personat përgjegjës apo organizatorët e tubimit të dhunshëm.

Kur identifikohet shkaktuesi, Avokatura e Shtetit e njofton atë për kthimin vullnetar të shumës brenda 30 ditëve. Nëse nuk paguhet, ngrihet padi civile.

Për dëmet e shkaktuara nga të mitur ose persona të pazotë për të vepruar, përgjegjësia financiare bie mbi prindërit ose kujdestarët.

Në rast se personi i dyshuar shpallet i pafajshëm nga gjykata ose çështja penale pushohet, Avokatura e Shtetit tërhiqet nga padia civile.

Sanksionet administrative dhe ankimi

Drejtoria vendore e Policisë së Shtetit vendos gjoba për personat ndaj të cilëve është vlerësuar i ligjshëm arresti, në rastet kur tubimi i paligjshëm është urdhëruar të shpërndahet dhe aty janë kryer krime.

Personat e gjobitur kanë të drejtë ta ankimojnë këtë masë në gjykatë, sipas afateve dhe rregullave të parashikuara në ligjin e mosmarrëveshjeve administrative.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjendet një trup në një pus, dyshohet se i përket 31-vjeçarit shqiptar të zhdukur më 7 tetor në Itali

Një ngjarje e rëndë po hetohet në Itali, ku trupi i një burri u gjet në një pus rreth 10 metra të thellë, në zonën...
18:07 | 28/10/2026

Falsifikoi dokumente noteriale për vite me radhë, Prokuroria Fier dërgon në gjyq noteren

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim noteren me inicialet A.H., e akuzuar për falsifikim të përsëritur të dokumenteve noteriale gjatë...
16:44 | 28/10/2026

Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, Begaj: Shqipëria në solidaritet të plotë me popullin spanjoll

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë, ku të paktën 68 persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy...
16:22 | 28/10/2026