Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar një protestë në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave dhe vrasjeve të tyre, pas krimit makabër që i mori jetën Arlinda Zekajt në Pejë. Në protestë kanë marrë pjesë edhe familjarët e saj, duke iu bashkuar thirrjes që krimet ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore të trajtohen si një urgjencë kombëtare. Protesta u mbajt me mesazhin “Vrasja e grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare”, ndërsa nuk munguan as simbolikat. Protestuesit hodhën fishekzjarrë dhe bojë të kuqe, në shenjë proteste ndaj dhunës ndaj grave dhe dështimit për t’i mbrojtur ato. Rasti i Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje reagimin e institucioneve ndaj denoncimeve për dhunë në familje dhe masat që merren për të parandaluar përshkallëzimin e saj. Para vrasjes, ajo i ishte drejtuar institucioneve për ndihmë, ndërsa në një letër drejtuar prokurorit e kishte cilësuar këtë të fundit si “shpresa ime e fundit”, duke kërkuar drejtësi.