Alvin Hellerstein, gjyqtari i Manhatanit që drejtonte procesin gjyqësor ndaj Nicolas Maduros, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare.
Gjatë gati 30 viteve të karrierës së tij, Hellerstein është marrë me shumë çështje të profilit të lartë, nga gjyqet për sulmet e 11 shtatorit dhe çështjet që lidhen me gjenocidin në Sudan, deri te rasti i pagesave që Donald Trump i bëri aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.
Hellerstein ishte hebre ortodoks dhe ishte emëruar gjyqtar federal në Distriktin Jugor të Nju Jorkut në vitin 1998 nga presidenti i atëhershëm, Bill Clinton. Ai ishte një nga gjyqtarët me përvojën më të gjatë në detyrë në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas mediave izraelite, “nuk ishte një gjykatës i zakonshëm”.
Ai bënte një jetë të përkushtuar ndaj besimit hebraik, respektonte Shabatin, lutej çdo ditë dhe luante tenis me “grupin e tij të rabinëve”.
Hellerstein ishte bërë kryefjalë e mediave tre vjet më parë, kur hodhi poshtë kërkesën e miliarderit Donald Trump për transferimin e çështjes Daniels nga gjykata shtetërore e Nju Jorkut në një gjykatë federale.
Rrugët e gjyqtarit dhe të presidentit amerikan u kryqëzuan sërish në fillim të vitit të kaluar, kur Hellerstein i mohoi administratës amerikane mundësinë për të dëbuar persona të dyshuar si anëtarë të bandës venezueliane Tren de Aragua, duke u mbështetur te Ligji për Armiqtë e Huaj (Alien Enemies Act).
Ky ligj, i miratuar në vitin 1789 në kuadër të legjislacionit të kohës së luftës, u përdor nga Trump për të lehtësuar dëbimet.







