Rregulla të reja për protestat, rriten gjobat deri në 500,000 lekë dhe ndalohet fshehja e identitetit

Qeveria ka miratuar një Akt Normativ që sjell ndryshime të thella në ligjin nr. 8773 të vitit 2001, “Për tubimet”. Në qendër të këtij akti, i iniciuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, është zgjerimi i kompetencave të Policisë së Shtetit për të ndaluar ose kufizuar protestat në raste të rrezikut të afërt për dhunë.
Akti parashikon që kur ka “rrezik real, serioz e të afërt” për dhunë apo dëmtim të pronës, drejtuesi i policisë vendore, me miratimin e prefektit, mund të vendosë kufizime të përkohshme rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore për një afat deri në 72 orë.
Megjithatë, ligji saktëson se ky kufizim “nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore” dhe lejon kalimin e fëmijëve të shoqëruar për në shkollë apo banesë.
Një tjetër koncept i ri është “Urdhri i largimit nga zonat e mbrojtura”. Policia tashmë mund të urdhërojë individë specifikë të largohen nga zona si terminalet, portet, shkollat ose spitalet për një periudhë deri në 48 orë, nëse këta persona ushtrojnë dhunë, dëmtojnë pronën ose ngacmojnë qytetarët. Akti garanton se ky urdhër nuk mund të përdoret për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor apo për arsye diskriminuese.
Monitorimi i rrjeteve sociale dhe regjistrimet audiovizuale
Një risi e rëndësishme e aktit është neni 19/1, i cili përfshin mbikëqyrjen e thirrjeve për dhunë përmes rrjeteve sociale, postës elektronike ose telefonatave gjatë organizimit të tubimeve. Policia e Shtetit do të identifikojë llogaritë ose numrat dhe do t’u dërgojë mbajtësve të tyre një kërkesë zyrtare për “fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla”. Nëse përmbajtja nuk hiqet, policia është e autorizuar të ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore.
Gjithashtu, vendimi i jep të drejtën Policisë së Shtetit të regjistrojë përmes “mjeteve audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës”. Këto regjistrime do të shërbejnë për të mbledhur prova lidhur me riparimin e dëmeve të shkaktuara ndaj hapësirës publike.
Shumëfishimi i gjobave dhe kundërvajtjet administrative
Ndryshimi më i dukshëm i aktit normativ godet pjesën e sanksioneve, duke shumëfishuar gjobat ekzistuese dhe duke shtuar një sërë kundërvajtjesh të reja administrative.
Pjesëmarrja në tubim të ndaluar ose mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarje dënohet nga 10,000 deri në 100,000 lekë (nga 1,000 deri në 10,000 lekë që ishte më parë).
Kur policia urdhëron shpërndarjen për shkak se tubimi kthehet në ngjarje të dhunshme, gjoba varion nga 20,000 në 200,000 lekë.
Nëse personi që refuzon të shpërndahet mban të fshehur identitetin/fytyrën, gjoba arrin deri në 500,000 lekë.
Fshehja e fytyrës (në kundërshtim me ligjin) gjobitet nga 10,000 në 100,000 lekë, përjashto rastet shëndetësore, fetare ose profesionale (gazetarë, mjekë).
Bllokimi i rrugëve automobilistike pa pasoja penale do të gjobitet me 5,000 lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo individ, pavarësisht sa kohë ka qëndruar në atë bllokim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



