
Partia Demokratike Evropiane ka dënuar dhunën policore ndaj protestuesve në protestat disaditore në Tiranë ndërsa kërkojnë që “kryeministri Rama të japë llogari për dhunën çnjerëzore ndaj protestuesve paqësorë”.
Në postimin në Instagram, Demokratët Evropianë theksojnë se çdo akt represioni e çdo sulm ndaj lirive themelore e largon edhe më shumë Shqipërinë nga BE-ja.
“Pamjet që po vijnë nga #Tirana po bëhen çdo ditë e më shqetësuese. Burri në këtë video është Lulzim Gjini. Prej muajsh, ai ka dalë në rrugë përkrah qindra mijëra shqiptarëve. I paarmatosur dhe teksa po largohej nga policia, ai u dhunua brutalisht me shkopinj gome. Ai pësoi fraktura të brinjëve, fraktura të kafkës dhe hematoma. Edi #Rama duhet të japë llogari për dhunën çnjerëzore të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë. Çdo akt represioni dhe çdo sulm ndaj lirive themelore e largon edhe më shumë #Shqipërinë nga Evropa.”