Një 23-vjeçar shqiptar, i njohur me nofkën “Shqiptari”, po gjykohet në Francë, i akuzuar për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të tre të miturve për shkak të një borxhi prej 7 mijë eurosh, që dyshohet se lidhet me trafikun e drogës.
Sipas mediave franceze, procesi gjyqësor ka nisur më 27 tetor në gjykatën penale të Bourges. I riu, i cili dyshohet se drejtonte një grup të njohur si “klani i lionasve”, akuzohet se ka organizuar ngjarjet së bashku me dhjetë persona të tjerë, të moshës 22 deri në 28 vjeç.
Ngjarjet datojnë në mars të vitit 2023. Më 2 mars, 23-vjeçari dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar shkuan në Bourges me një automjet tip “Renault Clio” dhe morën me vete një 15-vjeçar, të identifikuar si Kenzo.
Natën mes 3 dhe 4 marsit, sipas akuzës, një grup prej 11 personash u kthye në qytet, hyri me forcë në një apartament dhe rrëmbeu dy të mitur të tjerë. Ata dyshohet se i dhunuan dhe i mbyllën në bagazhet e dy automjeteve, për t’i transportuar drejt rajonit të Lionit.
Dy të miturit u dërguan më pas në një hotel të zinxhirit “Formule 1”, sipas raportimeve të mediave franceze.
Procesi gjyqësor pritet të zgjasë pesë ditë, gjatë të cilave do të shqyrtohet roli i secilit prej 11 të pandehurve në rrëmbimin dhe privimin e paligjshëm të lirisë së tre të miturve.
Gjykata do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të akuzuarve, ndërsa pretendimet ndaj tyre mbeten për t’u provuar gjatë procesit gjyqësor.













