Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vrasja e grave, drejtësia dhe lufta politike - "Konfront"

Bytyqi: E vetmja pikë e veçantë e Rezolutës është Komisioni Hetimor për vrasjen e Zekajt, tjerat të panevojshme

23 o. më parë / 27 tet 2026 21:18
Ardian Bytyqi

Analisti politik, Ardian Bytyqi ka thënë se e vetmja pikë e veçantë e Rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës është themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe sipas tij 13 pikat e tjera ishin të panevojshme.

Bytyqi në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se nuk është e nevojshme të ndërtohen qendra shtetërore për strehim kur mjafton vetëm të fuqizohen Qendrat për Punë Sociale.

“Kjo rezolutë me 14 pika në fakt është sa për t’u munduar të bëhet diçka tjetër që nuk është bërë më herët. Një prej pikave të rezolutës është për ndërtimin e Qendrave Shtetërore për Strehim, pse kemi nevojë të ndërtojmë institucione paralele shtetërore kur i kemi Qendrat për Punë Sociale. Mjafton pra t’i fuqizojmë Qendrat për Punë Sociale. E vetmja e pikë e veçantë e kësaj rezolute është Komisioni Hetimor. Kjo është ajo kryefjala e komplet rezolutës dhe të gjitha 13 pikat e tjera nuk ka pasur nevojë as të shkruhen fare”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se dy komisionet ekzistente, ai për të Drejtat e Njeriut dhe për Legjislacion e Imunitete do të duhej të kishin më shumë monitorim për punën e Gjykatave dhe Prokurorisë

“Kuvendi i Kosovës mbase i ka dy komisione që është Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Legjislacion dhe Imunitete, prandaj do të duhej që këto dy komisione të kishin më shumë monitorim rreth punës së gjykatave e prokurorisë. Ne po shohim dy pasqyra, e para është që askush nuk po dëshiron të marrë përgjegjësinë për rastin që ka ndodhur. Nga 2010-a ne e kemi parë që faji është hedhur nga një institucion te një tjetër”, ka deklaruar Bytyqi.

Analisti Bytyqi është shprehur nga viti 2010 kemi rreth 67 vrasje të grave ndërsa vetëm këtë vit tetë dhe siç ka thënë – ne jemi duke kaluar në një fazë kur femicidi po duket haptas.

Rrecaj: Prokurorët dhe gjyqtarët, në nivelin e fmijaqave, janë një nga arsyet pse po ndodhin vrasjet

23 o. më parë / 27 tet 2026 21:13
Visar Rrecaj

Avokati Visar Rrecaj  ka thënë se prokurorët e gjyqtarët e rinj, pa përvojë jetësore, janë një nga arsyet që po ndodhin rastet e vrasjeve në familje. 

Rrecaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se këta prokurorë e gjyqtarë nuk kanë përvojën për të gjykuar raste të tilla. 

“Ky Kuvend, kjo Qeveri, Këshilli Prokurorial e Këshilli Gjyqësor kanë faj të veçantë. Ai faj rrjedh nga Kuvendi i Kosovës që ka miratuar ligje për të rekrutuar prokurorë e gjyqtarë pa përvojë jetësore. A e dini çfarë është përvoja jetësore? Nuk mund të kesh gjyqtar 23-vjeçar. I mungon përvoja jetësore. Thonë e ka kryer fakultetin. Më fal, s’mund të gjykosh. S’mund të jesh prokuror nëse nuk ke përvojë jetësore. Çka është përvoja jetësore? Pse s’po e zgjedhin president dikë me 23 vjet. Se i themi është i papjekur. Gjyqtari e prokurori që është në moshë tepër të re, që nuk ka prëvojë jetësore, prokuror e gjyqtar të nivelit të fmijaqave, janë arsyet pse po ndodhin rastet e tilla”, tha Rrecaj. 

Ai tha se këta gjyqtarë e prokurorë s’kanë përvojë e “nuk e dinë çka është familja”. 

“Nuk i ka ardhur rasti me krijuar familje dhe gjykon për rastet e dhunës në familje. Ata nuk e dinë çka është fëmija, nuk e kanë pasur rastin ende, e lihen të gjykojnë për të mitur. Mungesa e përvojës jetësore do të prodhojë vendime jo të zbatueshme në praktikë.  Mungesa e përvojës jetësore, do të derivojë aplikimin e zbatimit të ligjit në mënyrë robotike. Pse robotike? Një gjyqtar në Pejë, në rastin e zonjës që ndërroi jetë, ka lëshuar urdhër mbrojtje për mosafrimin me njëri-tjetrin në 2 metra. Ku? Në shtëpinë e njëjtë. A mund të ma shpjegoni këtë? Ai është djalë i ri, ashtu shkruan në ligj”, tha Rrecaj. 

Rrecaj ka thënë se infrastruktura ligjore në Kosovë është tejet e avancuar, sa i përket Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje. 

“Është ligj tejet modern, ndoshta edhe Suedisë nuk i shkon shumë për shtati. Ligj tejet modern, sa që nuk je kërkah në aspektin logjistik me strehimore, me kushte shtetërore, me QPS. Je krejt ‘out’. Prandaj s’mund të zbatohet ai ligj në Republikën e Kosovës kur ke mungesa elementare”, tha Rrecaj.

VIDEO:

Fejza e VV-së thotë se në Kuvend ka deputetë me akuza për dhunë në familje

23 o. më parë / 27 tet 2026 20:49
fejza

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se në Kuvend ka deputetë me akuza për dhunë në familje, por ajo nuk ka arritur të tregojë nëse e di për një deputet konkretisht. Ajo ka përmendur deputetin e Aleancës, Ramush Haradinaj, kur dha këtë deklaratë, megjithëse përveç disa raportimeve të mëhershme, asnjëherë ndaj Haradinajt nuk ka pasur procedurë ligjore. 

Fejza ka arsyetuar deklaratën e saj për Haradinajn se ai “është përfolur për dhunë në familje”. 

Fejza ka insistuar se ajo çka i duhet Kosovës të ndryshojë në raport me parandalimin e dhunës me bazë gjinore është ndryshimi i mentalitetit. 

“Ajo çka ka urgjentisht nevojë të diskutohet, analizohet dhe të ndryshojë thellësisht është mentaliteti. Nuk mund në asnjë moment ta shmangim atë që mendoj është tepër e rëndësishme që ka të bëjë me mentalitetin dhe mënyrën si shoqëria jonë e trajton dhunën ndaj grave dhe dhunuesin. Jetojmë në një shoqëri ku jo vetëm në institucionet, po edhe media, kemi plot individë që kanë akuza për dhunë në familje dhe dalin e moralizojnë në emisionet tona për çdo natë në studio televizive. Kemi në Kuvend njerëz që kanë akuza për dhunë në familje... Unë kam lexuar në media që ish-kryeministri, kryetari i AAK-së, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes”, ka thënë ajo në “Konfront”.

VIDEO:

Ramaj: Duhet të dimë ta lexojmë mesazhin që ka lënë Arlinda

23 o. më parë / 27 tet 2026 20:48
Saranda Ramaj

Saranda Ramaj

Gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se si shoqëri duhet ta dimë mesazhin që ka lënë Arlinda Zekaj, gruaja që u vra nga ish-kunati me sëpatë dy ditë më parë në Vitomiricë të Pejës.

Ramaj u shpreh se diskutimi i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës për vrasjen e Arlinda Zekajt e ka irrituar më shumë sesa momenti kur kishte marrë vesh për vrasjen dhe identitetin e viktimës.

Ajo ka kritikuar politizimin e diskutimit për dhunën ndaj grave, duke thënë se një ditë që duhej të shërbente për reflektim, zi dhe bashkim kundër dhunës me bazë gjinore, u shndërrua në përplasje politike mes palëve.

“Diskutimi i mbrëmshëm në Kuvend më irritoi, do të thotë, isha më e irrituar pas diskutimit sesa një natë para, kur e kuptova vrasjen dhe kush është viktima. Një ditë shumë e rëndësishme që do të duhej të ishte ditë zie, ditë reflektimi, një farë dite përbashkimi që dhuna në baza gjinore ish dasht me na bashku, pasi nuk i prek votuesit e një partie, na prek secilin prej nesh. Diskutimi dje mori karakter politik, ia orientonin gishtin njëri-tjetrin gishtin kush ka bërë më shumë e kush më pak. Do të ketë Kuvendi raste të tjera për të diskutuar për këto çështje”, ka thënë Ramaj në “Konfront” të KTV-së.

Ajo ka thënë se në Kosovë vrasjet e grave po shndërrohen në sensacion nga mediat, hetuesit, politika dhe rrjetet sociale. 

VIDEO:

“Fatkeqësisht, në Kosovë vrasja e grave po kthehet në sensacion. E kthen media, hetuesit, politika, rrjetet sociale. Duam me sensacionalizu në mënyrë të padrejtë”, shtoi Ramaj. 

Sipas saj, çështja kryesore nuk është domosdoshmërisht mungesa e infrastrukturës ligjore për trajtimin e rasteve të vrasjeve dhe dhunës me bazë gjinore, por efikasiteti i mekanizmave ekzistues.

Gazetarja ka ngritur shqetësimin edhe për mentalitetin patriarkal, duke theksuar se ndryshimi i tij është i nevojshëm jo vetëm në media dhe politikë, por veçanërisht në polici, prokurori dhe gjykata.

“Shqetësim është se nuk e di qysh do të ndërrojë ky mentalitet patriarkal edhe në media, edhe në politikë, por më e rëndësishme në polici, prokurori e gjykata”, deklaroi Ramaj.