Kundër ekstradimit në Shqipëri/ Gjykata Supreme e Brazilit rrëzon ankimin e dytë të Ervin Matës

Kundër ekstradimit në Shqipëri/ Gjykata Supreme e Brazilit rrëzon ankimin e dytë të Ervin Matës

19:00, 28/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ankimi i dytë i Ervin Matës kundër ekstradimit në Shqipëri, është rrëzuar nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit, duke i hapur rrugë vijimit të procedurave për dorëzimin e tij te autoritetet shqiptare.

Trupa gjykuese vlerësoi se mbrojtja nuk kishte paraqitur argumente të mjaftueshme për të kundërshtuar vendimin e mëparshëm që miratonte ekstradimin.

Megjithatë, ekstradimi nuk është ende përfundimtar, pasi kërkohet edhe vlerësimi i Presidentit të Brazilit dhe përmbushja nga pala shqiptare e angazhimeve të parashikuara në legjislacionin brazilian.

Gjykata rrëzon pretendimet e mbrojtjes

Në ankimin e tij, Ervin Mata pretendonte se procedura e ekstradimit duhej të pezullohej deri në shqyrtimin e kërkesës së tij për azil në Brazil. Ai ngriti gjithashtu pretendime lidhur me ekzistencën e një hetimi policor ndaj tij në këtë shtet dhe mungesën e juridiksionit të Shqipërisë për ta gjykuar.

Gjykata Supreme Federale nuk i konsideroi këto argumente të mjaftueshme për të vënë në pikëpyetje vendimin e mëparshëm. Përmes vendimit të fundit, ajo urdhëroi certifikimin e tij si të formës së prerë, pa pritur publikimin zyrtar.

U arrestua në Brazil në prill 2026

Ervin Mata u arrestua në prill të vitit 2026 në Ilha Bela të Brazilit. Sipas të dhënave të bëra publike, ai dyshohet se përdorte dokumente angleze për t'iu shmangur autoriteteve, ndërsa ndaj tij kishte urdhër arresti nga autoritetet braziliane. Edhe Shqipëria e kërkonte arrestimin e tij që prej vitit 2023.

I dyshuar për trafikimin e 250 kilogramëve kokainë

Në vitin 2023, SPAK e shpalli Matën në kërkim si pjesë të një grupi kriminal prej 11 personash, të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Sipas dyshimeve të hetuesve, Mata ka koordinuar trafikimin e 250 kilogramëve kokainë, të nisura nga Brazili dhe të kapura në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2020.

Pavarësisht vendimit të gjykatës, ekstradimi i Matës në Shqipëri mbetet i kushtëzuar nga procedurat e tjera që duhet të përmbushen nga autoritetet braziliane dhe shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco