Cristiano Ronaldo ka hyrë në histori edhe përtej fushës së futbollit. Sipas revistës prestigjioze Forbes, ylli portugez është sportisti me të ardhurat më të larta në historinë e sportit, pasi ka kaluar shifrën prej 2 miliardë dollarësh të ardhura totale gjatë karrierës së tij profesionale.
Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo është bërë sportisti i parë aktiv që arrin këtë nivel të ardhurash, me rreth 1.87 miliardë euro. Shifra pritet të rritet më tej deri në fund të sezonit, duke marrë parasysh të ardhurat që ai vazhdon të sigurojë nga futbolli dhe aktivitetet e tjera.
Përllogaritja e Forbes përfshin pagat, shpërblimet, kontratat e sponsorizimit dhe të ardhurat nga aktivitetet e biznesit gjatë gjithë karrierës profesionale. Shumat janë bruto, pra para zbritjes së taksave dhe komisioneve të agjentëve.
Ronaldo kryeson një listë ku përfshihen edhe emra të mëdhenj të sportit botëror, si golfisti Tiger Woods, futbollisti Lionel Messi dhe ylli i basketbollit LeBron James.














