
Presidentja në detyrë e Serbisë, Ana Brnabić, deklaroi në rrjetin social X se në Serbi po përgatitet ‘terrori revolucionar’ dhe se Lista Studentore po përgatiti arrestimin e ish-presidentit Vuçiç, i cili tre ditë ma parë humbi zgjedhjet e parakohshme pas 14 vitesh në pushtet,
Brnabić, që më herët ka mbajtur postin e kryeministres së Serbisë, shprehu pakënaqësinë e saj për situatën aktuale politike.
“Ata premtuan terror revolucionar dhe tani po shohim terror revolucionar. Gjatë fushatës nuk e lejuan Aleksandar Vuçiçin të fliste. Gjatë heshtjes zgjedhore, e sulmuan dhe gënjyen për të dhe familjen e tij, sepse e dinin që as ai dhe asnjëri prej nesh nuk mund t’u përgjigjej, pasi ne respektojmë ligjet e vendit tonë. Tani, më pak se 72 orë pas fitores së tyre në zgjedhje, ata nisin një fushatë për arrestimin e Aleksandar Vuçiçit. Dhe për këtë japin shpjegimet më absurde të mundshme. Imagjinoni: presidenti i një vendi është informuar për zbatimin e një prej projekteve më të mëdha në vend dhe kjo qenka një arsye e mjaftueshme që ai të dyshohet për shembjen e çatisë në Novi Sad?
Njerëzit që, në emër të profesionit të tyre, mbikëqyrën projektin dhe dhanë miratimin për kontrolle shtesë, me sa duket, qenkan presidenti i vendit. Kur, në vitin 2004, u shemb një pjesë e çatisë së terminalit në aeroportin Charles de Gaulle, ku humbën jetën katër persona dhe një numër i madh të tjerësh u plagosën, a e mori prokuroria në pyetje presidentin francez Jacques Chirac si të dyshuarin kryesor? E paimagjinueshme, apo jo?
Kjo do të ishte e paimagjinueshme në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës dhe jo terrori revolucionar. Por këtu qëllimi është të heshtet dhe të largohet Aleksandar Vuçiçi, jo të vihet drejtësia në vend.
Që njerëzit ta dinë se çfarë po planifikon dhe po përgatit Lista Studentore. Ne do të luftojmë për një Serbi të lirë, kundër terrorit revolucionar. Pa frikë. Sepse e dimë për çfarë po luftojmë.”
