E ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ishte Françeska Rustem, e cila foli për rrugëtimin e saj profesional dhe eksperiencat në botën e medias. Pas një karriere në modeling, Françeska ka vendosur të përqendrohet në moderim, duke eksploruar mundësi të reja në televizion dhe radio. Një nga angazhimet e saj është moderimi i emisionit sportiv “Procesi Sportiv”, ku ka sjellë një dimension të ri në karrierën e saj.
Së fundmi, Françeska ka nisur një tjetër projekt, këtë herë në Top Albania Radio, me podcastin e saj më të ri “Përtej Topit”. Ky format shënon një hap të ri në rrugëtimin e saj si moderatore, duke i dhënë mundësinë të zhvillojë biseda dhe të eksplorojë tema përtej ekranit televiziv. Gjatë intervistës në “Pardon My French”, ajo ndau detaje nga ky kapitull i ri profesional, duke folur për kalimin nga modelingu në moderim dhe ambiciet e saj në botën e medias. Në lidhje me këtë fazë të re të jetës së saj profesionale, ajo u shpreh:
Mendoj që po i bëj pak konfuzë njerëzit sepse më shikojnë kudo që merrem me çfarëdo lloj gjëje dhe shpeshherë dëgjoj edhe njerëz që më thonë “ndalesh ti?”. Sport, modeling, muzikë, çdo gjë, por më pëlqen të provoj dhe kur dëgjoj njerëz që thonë “kam atë ëndrrat e mia në sirtar”, jo unë atë sirtarin çdo javë dhe them “çfarë do nxjerr sot”.
Në modeling, apo në prezantim, ku e shohim Françeskën të jetë 100% reale?
Nëse do të ma bëje këtë pyetje përpara një viti patjetër që do thoja Françeska e modeling-ut, kurse tani në këto momente nuk e di me thënë të drejtën. Ndihem shumë rehat në pjesën e prezantimit, se moderimi më duket fjalë shumë e madhe. Sporti më pëlqen shumë. Ka filluar vërtetë akoma edhe më shumë, sidomos tani që ja kam marrë akoma edhe më shumë dorën statistikave, fjalëve, termave, që në fillim më dukeshin shumë të vështira. Më duket sikur jam në një moment eksplorimi dhe eksperimenti me veten time.
Përveç se karrierës së saj në media, si e ka gjetur veten në fushën e modeling-ut? A ka pasur projekte të cilat i ka dashur, por nuk i ka realizuar dot?
Nuk më janë mbyllur, por më janë përplasur në fytyrë. Patjetër që ka pasur. Ka pasur momente ku vërtetë më janë përplasur në fytyrë, ka pasur momente që më kanë këputur fustanin, ja kanë çuar klientes ku unë kam pasur sfilatën e radhës dhe i kanë thënë që “je e sigurtë që do e marrësh këtë modelen në sfilatë?”. Kanë qenë koshat e fustanit, kanë shkuar vajzat e kanë thyer koshin tim dhe unë kam dalë në sfilatë me kosh të thyer. E kanë bërë me plan. Dikush tjetër ka bërë video dhe ja ka çuar klientes time që unë kisha një sfilatë pas 1 jave dhe i kanë thënë “a je e sigurtë që do e marrësh?”.