Një koment për partneren e një 29-vjeçari dyshohet se qëndron në zanafillën e konfliktit që i mori jetën 22-vjeçarit shqiptar Lorik Abazi, në jug të Londrës.
Detajet dolën gjatë procesit gjyqësor në gjykatën Old Bailey, ku po shqyrtohet ngjarja e rëndë e ndodhur në shkurt të këtij viti.
Sipas prokurorisë, Abazi kishte kaluar mbrëmjen e Shën Valentinit me partneren dhe miqtë e tij në një sallë bowlingu në Croydon. Në të njëjtin ambient ndodheshin edhe Ellis Anim-Annor, 29 vjeç, dhe partnerja e tij.
Edhe pse brenda lokalit nuk pati përplasje, situata dyshohet se u përshkallëzua pasi grupet u larguan. Prokuroria pretendon se një person nga shoqëria e Abazit kishte komentuar më herët për pamjen e partneres së Anim-Annor, por ende nuk është përcaktuar nëse ky ishte shkaku i drejtpërdrejtë i konfliktit.
Përplasja përfundoi me përdorimin e armëve të ftohta. Sipas akuzës, Anim-Annor goditi me thikë në zemër të riun shqiptar, i cili u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetonte. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 15 shkurtit, në parkimin e Valley Retail Park, në Croydon. Familja e Lorik Abazit ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e të riut.
Ndërkohë, Ellis Anim-Annor mohon akuzat për vrasje dhe plagosje me dashje. Procesi gjyqësor vijon, ndërsa motivi i saktë dhe përgjegjësia penale e të akuzuarit do të përcaktohen nga gjykata.












