Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kundërshtuar mënyrën se si po trajtohet në burgun e Fierit, ku u transferua nga Durrësi. Në një letër të publikuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca, Veliaj pretendon se është izoluar për 10 ditë dhe se po mbahet në kushte që, sipas tij, cenojnë sigurinë dhe të drejtat e tij.
Në mesazhin e shkruar nga qelia, kryebashkiaku rendit një sërë shqetësimesh, nga mungesa e kushteve të përshtatshme dhe e aksesit te shërbimi mjekësor, deri te pamundësia për të komunikuar me familjen dhe avokatin. Ai ngre pikëpyetje edhe për vendosjen e tij në të njëjtin korridor me tre persona të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
“Futja në izolim për 10 ditë. Pa ujë e pa dritare. Jo kujdes mjekësor. Refuzim i ushqimit. Asnjë arsye për transferimin, izolimin. Asnjë telefonatë për familjen dhe avokatin. Siguria? Në të njëjtin korridor me 3 vrasës, me burgim të përjetshëm”, shkruan Veliaj.
Avokati Plarent Ndreca ka deklaruar se Veliaj ka më shumë se tri javë që ka probleme me këmbën dhe se kërkesat e tij për një ekzaminim mjekësor nuk janë plotësuar. Ndreca ka ngritur gjithashtu shqetësimin se kryebashkiaku nuk ka konsumuar ushqim pas transferimit në Fier, ndërsa rrethanat e këtij pretendimi nuk janë sqaruar plotësisht.
Për të verifikuar situatën, në burgun e Fierit ka shkuar edhe Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i cili është takuar me Veliajn. Vizita vjen pas shqetësimeve të ngritura publikisht për kushtet e mbajtjes së tij dhe mënyrën e transferimit.
Zhvendosja e kryebashkiakut nga Durrësi në Fier ndodhi një ditë pasi ai komentoi zhvillimet politike në Serbi dhe protestat studentore kundër Aleksandar Vuçiçit. Në reagimin e tij, Veliaj iu referua drejtuesit serb me shprehjen “makiavelisti dhe populisti i Beogradit”.












