Gjykata e Apelit do të shqyrtojë të enjten ankesat e paraqitura lidhur me aktgjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, për të cilën Naim Murseli është dënuar me burgim të përjetshëm.
Mbrojtja e Murselit, përmes një ankese prej 30 faqesh, ka kërkuar anulimin e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë.
Avokatët pretendojnë se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive, si dhe kanë ngritur pretendime lidhur me mënyrën e marrjes në pyetje të Murselit nga policia.
Në ankesë, mbrojtja ka kundërshtuar edhe mosmiratimin e disa propozimeve të saj, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Ankesë në Apel ka paraqitur edhe Leotrim Syla, avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj, i cili ka kërkuar që me burgim të përjetshëm, krahas Naim Murselit dhe Granit Plavës, të dënohet edhe Kushtrim Kokalla.