Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë e vrara në Kosovë do të vazhdojnë sot, më 29 tetor, në Prishtinë dhe Ferizaj.

Në Prishtinë, protesta kombëtare do të mbahet nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit për të kërkuar drejtësi për Zekajn dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.


Përmes një njoftimi për media, organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë dhe se do të ketë bllokim të institucioneve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Sot, në orën 16:00, në sheshin Zahir Pajaziti, mblidhemi prapë për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet dhe drejtësi për të gjitha gratë e vrara”, thuhet në njoftim.

Ata kanë kërkuar solidarizim qytetar dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar nevojën për siguri dhe liri për gratë, si dhe drejtësi për viktimat e dhunës.

Ndërkohë, edhe në Ferizaj është paralajmëruar protestë për sot, e cila do të nisë në orën 12:00, para objektit të Komunës.

Sipas organizatorëve, protesta do të vazhdojë me ndalesa para Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor dhe Gjykatës, ku do të kërkohet përgjegjësi institucionale për rastin e Zekajt.

Organizatorët e protestës në Ferizaj u kanë bërë thirrje mediave që ta përcjellin tubimin dhe kërkesat për drejtësi e llogaridhënie.

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime publike dhe protesta, me kërkesa për hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Para se të vritej, Zekaj kishte paraqitur një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar masa urgjente, duke shprehur shqetësime për sigurinë e saj.

Protestuesit kërkojnë që rasti të trajtohet me seriozitet dhe që institucionet të japin llogari për veprimet e tyre, ndërsa bëjnë thirrje për masa konkrete që do të parandalonin raste të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/