Pse Ukraina e ka të vështirë ta shkatërrojë bazën ruse të dronëve në Krime
Një aerodrom ushtarak në Krime është transformuar në një qendër për lëshimin e dronëve, tregojnë imazhet e reja satelitore.
Aerodromi Hvardiyske, që gjendet në qendër të Gadishullit ukrainas të Krimesë të okuptuar nga Rusia, fillimisht u identifikua si vend për lëshimin e dronëve sulmues në mars të vitit 2025 dhe tani po përdoret pothuajse përditë për sulme, sipas ushtrisë së Ukrainës. Baza njihet me emrin Gvardeiskoye në rusisht.
Një imazh i realizuar më 11 tetor nuk shfaq asnjë aeroplan ushtarak, por tregon një infrastrukturë të re më të gjerë, për të cilën vëzhguesit thonë se lidhet me lëshimin e dronëve nga kjo bazë ajrore e epokës sovjetike.
Transformimi i bazës Hvardiyske ka ngritur pikëpyetje se pse Kievi nuk ka arritur ta nxjerrë jashtë funksionit këtë objekt me dronët sulmues dhe raketa.
Ukraina ka sulmuar shpesh depot ruse të dronëve dhe objektet e lëshimit të tyre në Krime, përfshirë ato në Kepin Çauda, në juglindjen e largët të gadishullit, si dhe pranë Balaklavës, ku një sulm thuhet se e nxori objektin jashtë funksionit. Hvardiyske është goditur nga dronët ukrainas, por dëmet kanë qenë minimale.
Një banor i Krimesë dhe ish-oficer i ushtrisë ukrainase foli për Shërbimin e REL-it për Krimenë, duke kërkuar që të mbetej anonim, lidhur me arsyet se pse Ukraina ende nuk ka arritur që ta nxjerrë jashtë funksionit qendrën e madhe Hvardiyske të dronëve.
“Sipas mendimit tim, arsyeja kryesore është se operacionet me dronë atje janë të shpërndara në pjesë të ndryshme të bazës ajrore”, tha ai. “Pika e lëshimit ndodhet në një vend, zona e mirëmbajtjes në një tjetër, ndërsa depot në një vend tjetër”.
“E gjithë kjo është infrastrukturë relativisht e thjeshtë, që mund të rikthehet lehtësisht në funksion, dhe një pjesë e saj ndodhet krejtësisht në zonë të hapur”, shtoi ai.
Në imazhin satelitor të 11 tetorit, shihen dhjetëra objekte të paidentifikuara, të vendosura disa metra larg njëra-tjetrës në një zonë të hapur me bar, në cepin jugperëndimor të bazës ajrore.
Ish-oficeri i Forcave të Armatosura të Ukrainës i tha REL-it se një objekt nëntokësor i magazinimit, i ndërtuar nga sovjetikët për të ruajtur municionet e aeroplanëve dhe që ndodhet rreth 15 kilometra nga baza Hvardiyske, ka të ngjarë të përdoret për ruajtjen në sasi të mëdha të dronëve sulmues që lëshohen nga baza ajrore.
“Ka shumë gjasa që Shahedët mund të jenë fshehur atje”, tha ai për REL-in, duke spekuluar se depërtimi në një hapësirë të tillë të fortifikuar magazinimi “ndoshta është i pamundur, edhe me raketat [e Ukrainës]”.
Një arsye tjetër pse baza Hvardiyske mund të jetë objektiv më i vështirë për planifikuesit ukrainas të sulmeve është vendndodhja e tij në qendër të Krimesë, një gadishull që tani është i mbushur me sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ndryshe nga pikat e lëshimit në bregdet, të cilave mund t’u afrohesh nga deti, dronët ukrainas që shënjestrojnë bazën Hvardiyske “duhet të fluturojnë rreth 100 kilometra mbi tokë për të goditur këtë objekt, ku gjasat për t’u rrëzuar janë më të mëdha”, tha burimi.
Baza ajrore Hvardiyske shërbeu si bazë e aviacionit detar sovjetik dhe më pas atij ukrainas.
Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, objekti u mor nën kontroll nga Forcat Ajrore dhe Hapësinore të Rusisë, të cilat vendosën në këtë bazë bombarduesit Su-24M dhe aeroplanët sulmues Su-25SM, deri në shndërrimin e saj në një qendër për dronët.
Erdogan bisedë telefonike me Trump, diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, Ukraina dhe krizat rajonale
Gjykata hedh poshtë kërkesën Departamentit të Drejtësisë të Trump për 20,000 fletëvotimet në Kaliforni
Hegseth shkarkon kreun e planifikimit ushtarak të Pentagonit mes kërcënimeve për një sulm të ri ndaj Iranit
- 08:11 Veliaj: Do të jem 10 ditë në izolim, pa ujë dhe pa kontakt me familjen
- 08:11 Erdogan bisedë telefonike me Trump, diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, Ukraina dhe krizat rajonale
- 08:10 Gjykata hedh poshtë kërkesën Departamentit të Drejtësisë të Trump për 20,000 fletëvotimet në Kaliforni
- 08:05 Hegseth shkarkon kreun e planifikimit ushtarak të Pentagonit mes kërcënimeve për një sulm të ri ndaj Iranit
- 08:05 Dita e 17 e protestës studentore, Rama përsërit ftesën për dialog! Protestuesit kërkojnë largimin e tij
- 07:39 Tajvani sinjalizon kërcënim ‘të qartë’ nga 50 anije kineze në ujëra të gjera