Kompany lë spitalin pas pesë ditësh, Bayerni bën të ditur diagnozën

Vincent Kompany është kthyer në shtëpi pas pesë ditësh në spital, ku ishte shtruar pas rrëzimit në qendrën stërvitore të Bayernit. Klubi bavarez njoftoi se trajneri belg është diagnostikuar me meningjit, inflamacion i membranave mbrojtëse dhe lëngut që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore.

Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, teksa Kompany po ndiqte stërvitjen e ekipit të dytë të Bayernit. Pas rrëzimit, ai u transportua me urgjencë në spital për trajtim. Para përballjes së Kupës së Gjermanisë me Magdeburgun, drejtori sportiv Max Eberl foli për gjendjen e tij.

Të lidhura

None found

“Duke marrë parasysh rrethanat, ai është mirë. Nuk do të thosha se është shumë mirë, por gjendja është e mirë. Sot doli nga spitali dhe ky është lajmi më i madh e më i mirë për të gjithë ne”, deklaroi Eberl për ARD.

Sipas drejtorit sportiv, mjekët kanë përcaktuar se meningjiti ishte shkaku i asaj që ndodhi të premten. Tani Kompany do të vijojë rikuperimin në shtëpi, me pushim të bollshëm dhe medikamente. Eberl shprehu bindjen se trajneri do të shërohet plotësisht së shpejti.

Belgu kishte përmendur më herët se po kalonte një problem shëndetësor. Pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit javën e kaluar, ai tha se kishte luftuar me një infeksion viral.

“Javën e kaluar pata një virus mjaft të rëndë dhe nuk ia vura veshin trupit tim. Në një çast, trupi më tregoi se duhej të ndalesha”, u shpreh ai në atë kohë.

Nuk është bërë ende e ditur se kur Kompany do të rikthehet në drejtimin e skuadrës. Vendimin do ta marrin mjekët, ndërsa Bayerni i ka lënë në dispozicion gjithë kohën që i nevojitet për t’u rikuperuar. Gjatë mungesës së tij, ekipin e drejton ndihmëstrajneri Aaron Danks; pjesë e stafit është edhe trajneri kroat Rene Maric.


Shtuar më 29.10.2026 08:12