Çfarë preku Vuçiçi u shkatërrua - a do të shërohet tani Serbia?

Aleksandar Vuçiqi dekompozoi institucionet demokratike, rrënoi drejtësinë e pavarur, e shndërroi skenën mediatike në një nevojtore të servilizmit dhe dhunës retorike. Regjimi i tij u përhap në të gjitha pjesët e shoqërisë, nga sektori i arsimit dhe shëndetësisë deri në të gjitha fushat e ekonomisë. Në vend të një epoke të artë, ai solli në vend dhunë, korrupsion dhe klientelizëm, shkruan Vedran Xhihiq, hulumtues në Institutin Austriak për Politikë Ndërkombëtare në revistën e Vjenës “Falter”.
Midasi, në mitologjinë greke mbreti i Frigjisë, ekziston deri më sot si një metaphorë për lakminë e pakufishme. I fascinuar nga pasuria, Midasi kërkoi nga perëndia Dionis t'i plotësonte një dëshirë: që çdo gjë që ai do të prekte, të shndërrohej në ar. Aleksandar Vuçiq, sundimtari absolut i Serbisë gjatë 14 viteve të fundit, nuk ngopej dot me pushtet. Ai premtoi epokën e artë për Serbinë, por në vend të arit, çdo gjë që preku gjatë gjithë viteve të sundimit të tij u shndërrua në shkatërrim.
Ai dekompozoi institucionet demokratike, rrënoi drejtësinë e pavarur, e shndërroi skenën mediatike në një nevojtore të servilizmit dhe dhunës retorike. Regjimi i Vuçiqit u përhap në të gjitha pjesët e shoqërisë, nga sektori i arsimit dhe shëndetësisë deri në të gjitha fushat e ekonomisë. Në vend të një epoke të artë, ai solli në vend dhunë, korrupsion dhe klientelizëm.
Mirëpo, të dielën e kaluar Vuçiq dhe artia e tij u deklasuan nga një listë studentore. Që nga shembja tragjike e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit dy vjet më parë, kjo lëvizje është rritur e është bërë aq e fuqishme, saqë me gati 53 përqind të votave dhe 141 meandate në parlamentin serb do të mund të formojë e vetme qeverinë. Kjo lëvizje studentore ka arritur diçka historike!
Sa me mençuri veproi ajo, të le pa mend. U mbështet në një organizim demokratik nga poshtë. Në kuvendet studentore, me një sistem të sofistikuar të vendimmarrjes participuese, u përcaktua një listë zgjedhore me 250 kandidatë - asnjëri prej tyre nuk mund të ishte student, asnjëri nuk duhej të kishte përvojë politike. Në listë: profesorë universiteti, mjekë, avokatë, por edhe njerëz të thjeshtë.
Paralelisht me këtë, ata organizuan marshime në të gjithë vendin, ecën me biçikleta apo shkuan në Strasburg dhe Bruksel, si dhe drejt Vjenës, për të mobilizuar bashkëqytetarët serbë në diasporë dhe për të sjellë në Evropë me mesazhin e ndryshimit.
Mobilizimi në vend, i cili u pasqyrua në një pjesëmarrje historike prej 70 për qind në zgjedhje, funksionoi po ashtu edhe në diasporë. Në Austri, Gjermani, në Evropë dhe në gjysmën e botës u krijuan radhë të gjata përpara qendrave të votimit.
Kur regjimi iu përgjigj me dhunë tubimit më të madh në historinë e Serbisë më 15 mars 2025 - duke përdorur një top zëri dhe banda për rrahje - kujdestarët e rendit studentor ruajtën gjakftohtësinë, e shpërndanë me shpejtësi tubimin dhe shmangën kështu një gjakderdhje. Çdo gjë që bëri lëvizja, e bëri me një entuziazëm tërheqës, me optimizëm dhe me buzëqeshje në fytyrë.
Tani nis puna e fortë politike - konstituimi i parlamentit, formimi i një qeverie funksionale, përzgjedhja e përfaqësuesve të lartë të Serbisë së re.
Se si do të harmonizohet kjo me strukturën e deritanishme të demokracisë bazike të lëvizjes, orientimin e saj heterogjen dhe logjikën e saj horizontale, mbetet e hapur. Nën Vuçiqin shteti dhe shoqëria ndodheshin nën thonjtë e një regjimi të pacipë, autoritar, që shkatërronte institucionet në mënyrë sistematike. Rezignimi u përhap kudo, shumë njerëz e braktisën Serbinë. Ky shkatërrim tani është ndalur, por pasojat e periudhës së Vuçiqit janë të rënda. Vendi nuk do të shërohet brenda natës, procesi i shërimit demokratik do të jetë i gjatë dhe i vëshirë, ndërsa riaktivizimet e mundshme të së vjetrës nuk mund të përjashtohen.
Regjimi i vjetër do të mbrohet, njerëzit e Vuçiqit vazhdojnë të qëndrojnë në të gjitha institucionet, në komuna, në ndërmarrje.
Vetë Lista Studentore do të duhet të gjejë brenda vetes përgjigje për shumë pyetje të vështira. Këtu hyjnë edhe pyetjet si ajo për Kosovën, marrëdhënia me Rusinë dhe me siguri edhe ajo për BE-në.
Në fushatën zgjedhore të Listës Studentore BE-ja nuk luajti asnjë rol, aq të hidhëruar e të zhgënjyer ishin njerëzit nga ajo dhe nga shumë kryetarë shtetesh e qeverish evropiane, të cilët për një kohë të gjatë për arsye pragmatizmi ledhatonin autokratin Vuçiq.
Sidoqoftë, kërkesat qendrore të Listës Studentore - shteti i së drejtës, institucionet, lufta kundër korrupsionit - janë një premtim për një nisje të re në çështjen e afrimit me Evropën. Jam i bindur se fitorja e Listës Studentore të së diellës është një shans gjigant për një Serbi evropiane.
Marshimi fitues i Listës Studentore është një leksion për të gjithë Evropën dhe botën kundër indiferencës dhe defetizmit, helmeve të vërteta të demokracisë. Serbia dhe rinia e saj na treguan se një fillim i ri është i mundur dhe se politikat autoritare të frikës e mizorisë nuk janë forca natyrore ndaj të cilave duhet të dorëzohesh i pafuqishëm.
Këtë duhet ta mbajnë mend mirë forcat demokratike në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën, përfshirë edhe ne në Austri. Jo çdo gjë që Lista Studentore do të prekë në javët dhe muajt e ardhshëm do të shndërrohet në ar. Por të jesh demokrat, mjafton plotësisht.






































