
Koreja e Veriut ka lëshuar rreth 10 raketa balistike me rreze të shkurtër drejt detit në brigjet e saj lindore, njoftoi të enjten ushtria e Koresë së Jugut, përcjell DW.
Sipas Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së Koresë së Jugut, raketat u lëshuan rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, nga një zonë pranë qytetit bregdetar të Wonsanit.
Ushtria e Koresë së Jugut bëri të ditur se po forcon mbikëqyrjen dhe po ruan gatishmërinë për lëshime të tjera, ndërsa vijon shkëmbimin e informacionit me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.
Ndërkohë, Ministria japoneze e Mbrojtjes deklaroi se raketat ranë jashtë Zonës Ekonomike Ekskluzive të Japonisë, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap e Koresë së Jugut.
Pheniani ka kryer prova raketore në më shumë se 10 raste këtë vit. Lëshimi i fundit ishte më 12 tetor, kur Koreja e Veriut testoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër.
Testimi i fundit vjen në një periudhë tensionesh në rritje mes dy Koreve, të përkeqësuara nga një mosmarrëveshje në kufirin që ndan dy vendet.
Më 21 shtator, tre ushtarë të Koresë së Jugut u plagosën nga shpërthimi i minave tokësore në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ), e cila ndan dy shtetet. Një hetim i përbashkët i Koresë së Jugut dhe Kombeve të Bashkuara arriti në përfundimin se minat ishin vendosur nga Koreja e Veriut, në jug të vijës së demarkacionit ushtarak, më shumë se një vit më parë.
Pheniani ka mohuar përgjegjësinë dhe ka paralajmëruar kundërpërgjigje në rast provokimi. Kim Yo Jong, motra e liderit koreano-verior Kim Jong Un, i ka cilësuar si “të neveritshme” kërkesat e Seulit për një ndjesë dhe ka refuzuar gjithashtu ofertën e Koresë së Jugut për pajisje mjekësore.
Javën e kaluar, Koreja e Veriut njoftoi planet për të rifilluar transmetimet propagandistike përgjatë kufirit dhe për të vendosur sisteme të reja armësh në zonë. Në përgjigje, Koreja e Jugut propozoi zhvillimin e bisedimeve ushtarake për të sqaruar çështjet kufitare dhe për të parandaluar përplasjet aksidentale. Pheniani nuk i është përgjigjur ende kësaj oferte.
Përshkallëzimi i tensioneve po ndodh gjithashtu në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur gatishmëri për të rifilluar kontaktet me Kimin. Qasja e Uashingtonit ka ngritur shqetësime në Seul se Koreja e Jugut mund të lihet mënjanë në negociatat e mundshme për programin bërthamor të Phenianit.
Koreja e Jugut mbetet një aleate e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara, por ende nuk është e qartë se çfarë roli do të ketë në bisedimet e ardhshme me Korenë e Veriut.