Njësia A3 e Termocentralit Kosova A është rikthyer në operim pas përfundimit të ndërhyrjeve teknike dhe sanimit të problemeve të evidentuara.

Sipas njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), njësia është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik në orët e para të mëngjesit dhe aktualisht është në operim të rregullt, me gjendje stabile.


KEK ka bërë të ditur se rikthimi i njësisë është rezultat i angazhimit intensiv dhe punës profesionale të ekipeve teknike, të cilat kanë ndërhyrë për eliminimin e problemeve dhe rikthimin e saj në funksion.

Në këtë rast, KEK ka shprehur mirënjohje për stafin profesional e teknik dhe të gjithë punonjësit e TC Kosova A, duke vlerësuar angazhimin, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tyre në përballimin e sfidave teknike dhe sigurimin e vazhdimësisë së prodhimit të energjisë elektrike.

Me rikthimin e njësisë A3, KEK konfirmon se ajo po vazhdon operimin në gjendje stabile. /Telegrafi/