Abissnet Superiore në RTSH/ Sot derbi Tirana-Dinamo dhe sfida e kryesuesve Egnatia-Teuta

Java e 9-të e kampionatit të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, do të mbyllet sot me dy ndeshjet Tirana-Dinamo dhe Egnatia-Teuta. Janë dy ndeshje të forta në letër që pritet të dhurojnë emocione.
Derbi Tirana-Dinamo do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 13:30. Tirana, si skuadra pritëse, ka zgjedhur Durrësin në mungesë të një fushe në kryeqytet. Tirana vjen në këtë ndeshje pas humbjes në Shkodër me Vllazninë, kurse Dinamo pas fitores me Egnatian. Skuadra e Klafuriç mban vendin e 4-t me 11 pikë, kurse blutë janë të tretët me 15 pikë.
Në orën 18:30 luhet një tjetër ndeshje interesante, ajo mes kryesuesve të Teutës dhe Egnatias së vendit të dytë. Sfida zhvillohet në Rrogozhinë dhe vendësit, në rast fitoreje, i parakalojnë durrsakët në kreun e tabelës.
Trajneri Nevil Dede duhet të menaxhojë sa më mirë energjitë, duke pasur parasysh lodhjen që vjen edhe nga ndeshjet europiane të Egnatias. Për Teutën, që e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë, do të jetë një provë e rëndësishme force kjo me kampionët në fuqi.
Tri ndeshjet e tjera të javës së 9-të të Abissnet Superiore u zhvilluan të mërkurën, ku Elbasani mundi Partizanin 2-1, Vora fitoi 2-1 kundër Vllaznisë dhe Skënderbeu barazoi 1-1 me Laçin në Korçë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



