Gjendet lëndë e dyshuar plasëse pranë derës së një lokali në Kamëz, ndërhyjnë xhenierët

Një sasi e dyshuar lënde plasëse është konstatuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë derës së një lokali në rrugën “Berisha”, në Kamëz. Lënda nuk ka shpërthyer, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e specializuara xheniere.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rasti është konstatuar rreth orës 06:30 të datës 29 tetor 2026. Lokali është në pronësi të një 38-vjeçari me inicialet K. H.
Shërbimet e specializuara kanë bërë të mundur heqjen e lëndës së dyshuar plasëse nga vendngjarja, duke ndërmarrë veprimet përkatëse për menaxhimin e situatës.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e rastit, si dhe për të dokumentuar ligjërisht ngjarjen. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me autorët e mundshëm apo motivet e ngjarjes.




