Korça pret turistë në vjeshtë, nisin rezervimet për Vitin e Ri

Turizëm | 11 minuta më parë

Korça vijon të tërheqë grupe turistësh edhe gjatë stinës së vjeshtës, ndërsa atmosfera karakteristike, tradita dhe ofertat turistike e mbajnë qytetin një nga destinacionet e preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Grupet e turistëve shihen në rrugët e qytetit, duke vizituar pikat kryesore të interesit dhe duke shijuar kulinarinë dhe mikpritjen korçare.

“Jemi pothuajse në fund të muajit tetor dhe vazhdojmë të kemi grupe turistësh të huaj nga e gjithë bota, të cilët vijojnë të vizitojnë Korçën. Mund të themi se vjeshta është pikërisht stina e preferuar për këto grupe turistësh, kryesisht për personat e moshës së tretë, për të vizituar jo vetëm Korçën dhe rajonin, por edhe Ballkanin dhe Evropën në përgjithësi”, u shpreh Eriketa Koçollari, Operatore turistike.

Ndërkohë, strukturat akomoduese kanë nisur të regjistrojnë rezervimet e para për festat e fundvitit. Interesi për të kaluar natën e ndërrimit të viteve në Korçë mbetet një element i rëndësishëm për sektorin turistik, veçanërisht për shkak të atmosferës festive, dekorimeve dhe aktiviteteve që e shndërrojnë qytetin në një destinacion të veçantë gjatë kësaj periudhe.

“E rëndësishme është të themi se, duke qenë se jemi në fund të muajit tetor, kanë filluar të shfaqen interesat dhe rezervimet për festat e fundvitit, si dhe për festat e 28 dhe 29 Nëntorit. Por, sigurisht, për Korçën fokusi mbetet gjithmonë te Krishtlindjet dhe Viti i Ri”, tha ajo.

Operatorët turistikë dhe bizneset e hotelerisë presin që fluksi i vizitorëve të rritet me afrimin e festave, kur Korça tradicionalisht mirëpret turistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga jashtë vendit.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme