Ergys Agasi është transferuar nga paraburgimi i Bradasheshit në burgun e Fierit, me urdhër të Drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo.
Sipas raportimeve, forcat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë shkuar në paraburgimin e Bradasheshit për të kryer procedurat e transferimit.
Agasi ka mbërritur tashmë në burgun e Fierit.
Një ditë më parë, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit u transferua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Nuk dihet ende pse Drejtoria e Burgjeve mori vendimin për transferimin e Agasit drejt Fierit, ashtu si nuk dihen edhe shkaqet e transferimit të Veliaj, i cili sot pati vizitore edhe bashkëshorten e tij.
Arrestimi i Agasit
Biznesmeni Ergys Agasi u arrestua më 26 gusht 2026 në zonën e Plepave, në hyrje të qytetit të Durrësit, pas disa muajsh në kërkim.
Sipas SPAK ndaj Agasit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” me vendim të Gjykatës së Posaçme, më 15 dhjetor 2025.
Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga një ish-punonjës policie, Ulian shpataraku i cili u arrestua në flagrancë nën dyshimin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas SPAK, Ergys Agasi po hetohet në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2025, që lidhet edhe me çështjen e prokurimeve publike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ndaj tij po hetohen dyshime për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera publikë, korrupsion aktiv, pastrim të produkteve të veprës penale dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.














